Teksa konflikti SHBA-Iran ka ngjallur kudo frikën e një lufte të mundshme gjithëpërfshirëse, deklarata e liderit suprem të Republikës Islamike të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei-t, i cili iu referua Shqipërisë si një vend i vogël djallëzor evropian, për shkak të strehimit të anëtarëve të forcave opozitare iraniane të njohur si MEK, me të drejtë e shtyu opinionin publik të mendonte se vendi ynë është i rrezikuar.

Kështu, nisur nga e gjitha kjo, gjatë fjalës përmbyllëse në seancën e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u pyet sa i takon një sulmi të mundshëm kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë. Sipas tij, nuk jemi të rrezikuar.

” E dimë shumë mirë që duke marrë hapin në përfshirjen e operacionit humanitar kemi marrë përsipër një risk. Jam shumë krenar që ky risk është marrë përsipër në mënyrë bipartizane në funksion të detyrimeve të një aleance strategjike të pazëvendësueshme me SHBA. Nga ana tjetër duhet të kujtoj që jemi anëtarë të NATO dhe çdo sulm mbi vendin tonë është një sulm mbi NATO-n.”

Nga ana tjetër, gjenerali i NATO-s, Michael Barbero tha se cdo mik i SHBA-së, për fat të keq konsiderohet si një shënjestër e Iranit.

“Fatkeqësisht çdo mik i SHBA apo aleati ynë mund të shikohet si një shënjestër. Për këtë vigjilenca është mjaft e rëndësishme veçanërisht në fushën kibernetike, pasi Irani ka disa aftësi mjaft të sofistikuara për sulmet kibernetike. Për këtë arsye Shqipëria duhet të tregohet mjaft vigjilente në përpjekjet kundër terrorizmit dhe kundër sulmeve kibernetike.”

Barbero tha më tej se NATO do të reagojë ndaj çdo sulmi që mund t’i bëhet ndonjë vendi anëtar.

“Ka ardhur momenti që partnerët aleatë të qëndrojnë të fortë dhe nuk duhet të vazhdojnë të kërkojnë falje për vrasjen e Soleimanit, por është momenti të thonë nëse janë kundër terrorizmit apo jo.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA