Tërheqja e amerikanëve nga Kuvajti lajm i rremë – agjencia ishte hakuar

08/01/2020 14:21

Lajmet se trupat amerikane po tërhiqen nga Kuvajti janë të pasakta, tha qeveria e vendit.

Mohimi vjen pasi agjencia e lajmeve KUNA e Kuvajtit citoi deklaratën e pretenduar të ministrit të Mbrojtjes për tërheqjen e forcave amerikane.

Këtë lajm e transmetoi edhe agjencia e lajmeve Reuters. Ndërkohë, Qeveria e Kuvajtit bëri të ditur se agjencia KUNA ishte hakuar dhe se lajmet ishin të rreme, transmeton KosovaPress.

Më herët sot, KUNA raportoi se shefi i Shtabit të bazës ushtarake amerikane në Kuvajt kishte njoftuar sekretarin e Mbrojtjes së Kuvajtit Ahmad Mansour Al-Ahmad Al-Sabah se të gjitha trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kuvajti brenda tre ditësh.

“Marrja e një letre të tillë nga Kampi Arifjan është i papritur,” tha ministri, njoftoi KUNA.

Ministria e Kuvajtit është në kontakt me Departamentin e Mbrojtjes së SHBA për më shumë informacion.

Irani kreu sulme me raketa në dy baza me trupat amerikane në Irak si hakmarrje për vrasjen e gjeneralit Qasem Soleimani, dhe zyrtarët iranianë kërkuan që SHBA të tërhiqte trupat e saj nga Lindja e Mesme.

Top Channel