Macron flet për zgjerimin: Samiti i Zagrebit, moment uniteti dhe progresi për Europën

08/01/2020 03:22

Presidenti francez, Emanuel Macron, përsëriti thirrjet për të ndryshuar procedurën për zgjerimin e Bashkimit Evropian, ndërsa priti kryeministrin kroat, Andrej Plenkovic, në pallatin e Elizeut. Samiti i Zagrebit, në maj, do të jetë mundësia e radhës ndërsa Kroacia ka marrë presidencën e radhës së bllokut evropian.

“Unë kam të njëjtën dëshirë si ju, që ta bëjmë samitin e Zagrebit në maj 2020, një moment uniteti dhe progresi për Evropën. Që kjo të ndodhë ne kemi nevojë për një ndryshim, krahasuar me debatin tonë të fundit për temën, në Këshillin Evropian, tetorin e kaluar. Franca ka propozuar një metodë të re që zgjerimi i BE të mos jetë një proces burokratik, por një proces i pastër politik, gradual, i ndryshueshëm dhe i kthyeshëm, që sjell më shumë kushte dhe përfitime për vendet kandidate. Ne kishim mundësinë të flisnim për këtë së bashku dhe në këtë pikë unë e di se do të punojmë krah për krah”- tha Macron.

Ishte pikërisht këmbëngulja e Macron ajo që vulosi jo-në për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Këshillin Evropian të tetorit të kaluar. Vetoja e Macron, me justifikimin se nevojitet reformimi i BE-së përpara zgjerimit të saj, shkaktoi reagime të shumta edhe në vetë radhët e vendeve anëtare të bllokut, por edhe shumë zhgënjim në Tiranë dhe Shkup.

Top Channel