Kush fshihet pas? Makinë-bombë në Somali, 4 të vdekur dhe 10 të plagosur

08/01/2020 13:25

Së paku katër persona janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë lënduar pas shpërthimit të një veturë bombë afër ndërtesës së kuvendit të Somalisë në Mogadishu.

Përgjegjësinë për këtë sulm e mori grupi militant “Al Shabaab”, i cili kohëve të fundit i ka shtuar sulmet në rajon. Para disa ditëve, i njëjti grup realizoi një sulm në një bazë ushtarake amerikane në Kenia.

“Një veturë e mbushur me lëndë shpërthyese u përpoq ta kalonte pikën e kontrollit, por pasi drejtuesi nuk e arriti këtë, ai e aktivizoi bombën”, tha zyrtari policor, Adan Abdullahi.

Kryeqyteti somalez ka qenë vazhdimisht epiqendër e sulmeve të grupit “Al Shabaab”, i cili për më shumë se një dekadë po lufton për ta rrëzuar qeverinë e vendit afrikan. Më 28 dhjetor, 81 persona u vranë gjatë shpërthimeve në Mogadishu.

Top Channel