Verstappen rinovon kontratën, edhe 3 vite me Red Bull

07/01/2020 17:46

Max Verstappen zgjati kontratën me ekipin Red Bull deri në fundin e vitit 2023. 22-vjecari ka qenë pjesë e këtij ekipi që nga viti 2016, kur piloti holandez kaloi nga Toro Rosso në radhët e skuadrës austriake. Pas firmës së hedhur në kontratën e re Verstappen deklaroi se i është shumë mirënjohës ekipit Red Bull, që besoi në aftësitë e tij, duke i dhënë mundësinë për të garuar në Formula 1. Max Verstappen tha se dëshiron të fitojë sa më shumë që të jetë e mundur me këtë ekip për të përmbushur edhe qëllimin kryesor, që mbetet rivalizimi me skuadrat e tjera për titullin botëror.

Holandezi konsiderohet si një ndër pilotët më të talentuar të këtij sporti, madje në moshën aktuale Verstappen numëron 8 fitore në karrierë në këtë sport, pra dyfishin krahasuar me kontributin e pilotit britanik Lewis Hamilton, në moshën 22-vjecare. Hamilton është duke përfituar në maksimum nga superioriteti i jashtëzakonshëm i makinës Mercedes, deri në atë pikë sa tani 35-vjecari nga Stevenage krenohet me plot 6 tituj botërorë në kampionatin e pilotëve, gjithsesi ekipi austriak po bën çmos për t’u rikthyer, për më tepër në edicionin e fundit pavarësisht inferioritetit kundrejt skuadrave Mercedes dhe Ferrari Max Verstappen regjistroi 3 fitore gjithsej, më saktë në Cmimet e Mëdha në Austri, Gjermani dhe Brazil.

Përveç 3 fitoreve 22-vjecari holandez mbylli 9 nga 21 garat sezonale në podium, e me një rendiment të tillë Verstappen grumbulloi plot 278 pikë, duke lënë prapa në renditjen përfundimtare edhe dyshen e Ferrari-t Leclerc – Vettel. Dihet sa shumë përfitoi nga supremacia e skuadrës Red Bull Sebastian Vettel, kur fitoi plot katër tituj rresht nga viti 2010-2013, prandaj që të gjithë prisnin një kalim të mundshëm të pilotit holandez në radhët e Mercedes-it ose Ferrari-t, sidoqoftë me një vendim të tillë tashmë Max Verstappen i jep fund çdo lloj spekulimi për një largim nga ky ekip. Drejtuesi i skuadrës Christian Horner deklaroi se edicioni i vitit 2021 ofron sfida të mëdha me ndryshime të shumta në rregullore, kështu që vazhdimësia si dhe qëndrueshmëria në shumë pjesë të makinës mbetet objektivi kryesor dhe në mënyrë të kuptueshme përbën çelësin e suksesit.

46-vjecari anglez tha fjalët më të mira për Verstappen-in, duke shtuar se piloti i ri holandez përbën një aset për ekipin me bazë në Milton Keynes. Horner vijoi duke theksuar se zgjatja e kontratës konfirmoi më së miri edhe besimin që ka numri 33 te bashkëpunimi i ekipit Red Bull me Hondën. Max Verstappen është i famshëm për stilin e tij tepër agresiv të pilotimit, mënyrë që e ka bërë herët vërtet shumë të famshëm në ambientet e këtij sporti, madje holandezi është piloti më i ri që ka fituar një garë në Formula 1, pas suksesit të regjistruar në Çmimin e Madh të Spanjës në vitin 2016, kur fitoi garën në moshën 18-vjeçare. Zgjatja e kontratës së Max Verstappen-it me ekipin Red Bull e zhvendos tashmë vëmendjen te dy skuadrat kryesore, pasi pilotëve të tillë si Lewis Hamilton dhe Sebastian Vettel iu përfundon kontrata pikërisht në fundin e vitit 2020.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA