Varrimi i gjeneralit iranian/ Dhjetëra vetë humbën jetën gjatë ceremonisë mortore

07/01/2020 12:45

Një turmë gjigante njerëzish u mblodh në vendlindjen e Kasem Sulejmanit për t’i bërë respektin e fundit gjeneralit të vrarë nga Shtetet e Bashkuara në Irak nga një sulm me dron.

Më herët njerëzit mbushën rrugët edhe në kryeqytetin Teheran, ku kërkonin shpagim për ekzekutimin e kreut të fuqishëm të njësisë elitë Quds. “Poshtë SHBA-ja” dhe “ Vdekje Amerikës” ishin thirrjet që dëgjoheshin më shumë në procesionin mortor.

Vetëm disa javë më parë, ishin zërat e protestuesve antiqeveritarë që dëgjoheshin në këto rrugë, duke shprazur të gjithë zemërimin e tyre ndaj liderëve të republikës islamike. Por idhujtaria që ekziston për Sulejmanin, i cili kishte fituar në këtë vend një status gati prej kulti, duket se i ka bashkuar iranianët në tërbimin kundër Shteteve të Bashkuara. 62-vjeçari kishte detyrën të mbronte dhe forconte influencën e Iranit në Lindjen e Mesme.

Në vendin e tij të lindjes, ai konsiderohej një hero kombëtar dhe shihej gjerësisht si njeriu i dytë më i fuqishëm pas Ajatollahut Khamenei. Kjo nuk vlen megjithatë për të gjithë iranianët. Sulejmani ishte ndjekës i vijës së ashpër dhe një forcë dominuese në një regjim që vrau me dhjetëra protestues në fundin e vitit 2019. Ai shpenzonte ndërkohë shuma të mëdha parash për të ngritur aleanca e forcuar milicitë në Liban, Jemen, Irak e Siri, në një kohë kur sanksionet amerikane kanë varfëruar së tepërmi shumë iranianë.

Një ditë më parë, Donald Trump kërcënoi se do të godiste objektet kulurore iraniane, nëse Irani hakmerret. “Ata lejohen të përdorin bomba në anë të rrugës për të vrarë njerëzit tanë dhe ne nuk lejohemi të prekim objektet kulturore? Nuk funksionon kështu”, tha Trump. Sipas konventave të Gjenevës që përcaktojnë kufizimet ligjore për luftë, sulmi ndaj objekteve kulturore të një vendi tjetër është një krim lufte.

 

 

 

 

 

 

Top Channel