Vetëm dy ditë më parë arriti marrëveshjen me Bylisin për të luajtur me ballshiotët në pjesën e mbetur të sezonit, por Dorian Kërçiku ka ndërruar mendje në orët e fundit dhe ka vendosur të mos udhëtojë drejt Mallakastrës.
Kjo pasi futbollisti kryeqytetas përfundimisht ka zgjedhur t’i bashkohet skuadrës kampione në fuqi të partizanit dhe është nisur menjëherë drejt Antalias në Turqi, ku “të kuqtë” po kryejnë edhe fazën përgatitore të dimrit.
Ka qenë vetë klubi i Partizanit që nëpërmjet faqes zyrtare, ka njoftuar akordin me Kërçikun, i cili ka thënë edhe fjalët e tij të para si futbollisti më i ri i kampionëve në fuqi të Shqipërisë.
“Jam mjaft entuziast që jam pjesë e Partizanit. Kam ardhur te skuadra kampione në fuqi e Shqipërisë dhe besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme për karrierën time. Pas disa ofertave që kam patur gjatë kësaj periudhe, zgjodha të firmos përfundimisht me Partizanin, skuadër me të cilën do të kem mundësinë të përmirësohem edhe më shumë profesionalisht dhe shpresoj të realizoj objektivat madhor që klubi synon edhe këtë sezon”, deklaroi futbollisti.
Dorian Kërçiku është rritur në klubin e Tiranës, teksa pas ekipeve të moshave, ka luajtur plot 139 ndeshje me skuadrën e parë të bardhebluve, ndërsa regjistron edhe një eksperiencë te Skënderbeu në sezonet 2011-2013, ku edhe u shpall kampion me korçarët.
Futbollisti kryeqytetas pritet të jetë një vlerë e shtuar për organikën e trajnerit Sormani, pasi është një lojtar me mjaft eksperiencë, që njeh mirë kampionatin shqiptar dhe për më tepër, përshtatet në disa role në fushën e lojës.
Top Channel