Një artikull i publikuar sot nga gazeta britanike “The Times”, ka folur rreth liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.
Në këtë shkrim të autores Hannah Lucinda Smith, shkruan për rrugëtimin politik të Kurtit.“Njeriu që do të jetë kryeministër i Kosovës ka ofenduar shumë njerëz në rrugëtimin e tij nga një rrebel në politikanin kryesor. Pushteti mund të paraqesë dilema kur keni arritur emrin si një rrebel, siç po e mëson Albin Kurti, kryeministri në ardhje i Kosovës”, shkruan në artikullin e “The Times”.
Tutje autorja flet edhe për rebelizmin e Albin Kurtit në fundin e viteve të 90-ta.
“Kurti, 44 vjeç, u bë i njohur si një aktivist në fund të viteve 1990, duke demonstruar kundër represionit në rritje ndaj shqiptarëve të Kosovës nga Serbia e Sllbodan Millosheviqit. Me flokë të gjata dhe me stil prej rokeri, ai udhëhoqi protestat studentore në Universitetin e Prishtinës, punoi për krahun politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u burgos nga regjimi i Millosheviqit për gati tri vjet”, shkruan “The Times”.
Lucinda-Smith, shkruan edhe për karrierën e tij të pasluftës dhe aktivizimin e tij në politikën kosovare.
“Në epokën e pasluftës ai iu drejtua me kritika misioneve ndërkombëtare të ngarkuara me mbikëqyrjen e rimëkëmbjes së Kosovës, së pari Kombeve të Bashkuara dhe më vonë Bashkimit Evropian.”
“Kur Kosova e fitoi pavarësinë e saj më 2008, ai e kritikoi edhe atë, duke refuzuar ta njohë flamurin e saj dhe duke preferuar të paraqitej para flamurit me shqiponjën dykrenare të Shqipërisë, me të cilën ai avokon bashkimin”, shkruan Hannah Lucinda Smith.
Top Channel