Studiuesit zbulojnë kafenë “ideale”, e cila do të ruajë gjithmonë një shije të mrekullueshme

07/01/2020 20:54

Ndryshimi i shpeshtë i shijes së kafes ka shtyrë një kompani të sapo prezantuar në treg në Amerikë, që t’i ndryshojë duke ndryshuar konceptimin e kafes tradicionale. Ata do të krijojnë një imitim të kafes tradicionale po me të njëjtën aromë, por duke shkurtuar kohën e përftimit të saj, shpenzimet por gjithashtu nuk ka ndikimin negativ tek mjedisi si kafeja e pa bluar.

Në mars të vitit të kaluar, Kompania Atomo Coffe grumbulloi një shumë për rreth 25 mijë dollarë përmes një fushate online. Më pak se gjashtë muaj më pas, një firmë nga Hong Kongu investoi 2.6 milionë dollarë tek kjo kompani e cila shpreson që të hedhë në treg produktin e ri në fillimin e këtij viti. Kompania me seli në Seattle është krijuar nga dy shokë, njëri prej tyre është një studiues ushqimi dhe kjo ide i erdhi pikërisht nga ndryshimi i shijes së kafes çdo herë që ai bënte një të tillë.

“Vendosa të studioja këtë problem dhe të shikoja mundësinë për të krijuar një kafe nga atomi, pra për ta ndërtuar kafenë në mënyrë molekulare, që të ishte vazhdimisht e shkëlqyeshme”, tha Jarret Stopforth.

Ideja për të analizuar se nga çfarë përbëhet kafeja, në mënyrë që të mund ta rikrijonin, lindi në garazhin e tij. Në fillim, shoku i tij Andy Kleitsch ishte skeptik.

“Kur Jarret më foli për idenë e tij për të krijuar kafe pa kokrra, mendova: A është e mundur një gjë e tillë? Përse duhet dhe si do ta realizosh? Dhe kështu nisi gjithçka. Ne më pas shkuam në garazhin e tij dhe filluam të formulojmë një filxhan kafeje, në mes të dimrit në Seattle”, thotë partneri i Jarret, Andy Kleitsch.

“Studiuam dhe shpjeguam të gjithë komponentët, duke i parë si në aspektin e aromës dhe atë të përbërjes së lëngut dhe më pas krijuam modelin e përjashtimit duke hequr të gjithë komponentët dhe më pas duke i kthyer ata derisa krijuam kafenë ideale”, shpjegon Jarret.

Një nga pikat e forta të kompanisë Atomo është se kafja e prodhuar në laborator ka një ndikim shumë të vogël tek mjedisi. Vitin e kaluar, kreu i autoritetit të tregtisë së kafesë amerikane tha se çmimet e ulëta të kafesë mund të bëjnë presion tek fermerët, të cilët mund të fillojnë shpyllëzimin e pyjeve tropikale për të mbijetuar. Pema e kafesë rritet në zonat e ekosistemeve tropikale, të cilat luajnë një rol kryesor në thithjen e dyoksidit të karbonit nga atmosfera.

Top Channel