Pak ditë më parë Sebino Plaku u transferua nga Llapi i Podujevës te skuadra e Gjilanit, ku do të ketë mundësinë të luftojë për titullin kampion në IPKO Superligën e Kosovës, ndërsa sot ka dhënë edhe intervistën e parë për faqen e klubit.
Sulmuesi kryeqytetas ka treguar arsyet pse e shtynë të zgjedhë Gjilanin për të vijuar karrierën e tij dhe ka deklaruar se ambiciet e tij përputhen më së miri me ato të klubit, pasi të dy palët duan ta marrin më të mirën nga momenti.
“Zgjedhja e Gjilanit ishte për disa arsye dhe sa herë që kam parë Gjilanin të luante, mendoja se do përshtateshim më së miri me njëri-tjetrin. Gjilani do jetë në vazhdën e duhur, sepse kemi të dyja palët ambicie të njëjta, për të marrë maksimumin e situatës dhe kjo na bën të përputhemi më së miri”, deklaroi Plaku.
Më pas sulmuesi kryeqytetas, që ka një eksperiencë të madhe mbi supe dhe pritet të jetë një vlerë e shtuar për Gjilanin, foli me superlativa edhe për tifozërinë e tij të re dhe uroi që të gjithë bashkë të festojnë në fund të sezonit.
“Për tifozët e kam vënë re si kundërshtar, që është tifozëri e ndjeshme dhe e zjarrtë. Mendoj se është fat për çdo ekip të ketë përkrahjen e tifozëve, sepse është motiv i shtuar për cilindo nga ne. Uroj që në fund të festojmë bashkë dhe t’i kalojmë këto momente, si historike”, deklaroi sulmuesi i Gjilanit.
Top Channel