Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, la të kuptohet se ushtria e Shteteve të Bashkuara nuk do t’i sulmonte lokacionet kulturore të Iranit, edhe pse ato janë përmendur si shënjestra të mundshme nga presidenti Donald Trump.

“Ne do t’i respektojmë ligjet e konfliktit të armatosur”, tha Esper gjatë një konference për media në Pentagon.

I pyetur nëse i përjashton sulmet ndaj lokacioneve kulturore, Esper tha: “Këto janë ligjet e konfliktit të armatosur”.

Sugjerimet e Trumpit se SHBA-ja mund të godasë lokacionet kulturore të Iranit kanë shkaktuar alarm në Iran dhe më gjerë.

Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch ka thënë se sulmet e tilla do të përbënin krime lufte.

Ngjashëm është shprehur edhe ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e mbështetur nga administrata Trump në vitin 2017, i konsideron sulmet në vendet kulturore krim lufte.

Konventa e Hagës për Mbrojtjen e Pronës Kulturore, e vitit 1954, gjithashtu i konsideron sulmet e tilla krim lufte.

Kriza në Lindjen e Mesme është thelluar prejse një sulm i SHBA-së ka vrarë udhëheqësin e forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani, më 3 janar.

Të shtunën, Trump, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të sulmojnë disa lokacione të rëndësishme kulturore të Iranit, nëse ky i fundit sulmon personelin apo asetet amerikane, si hakmarrje për vrasjen e Soleimanit.

Irani ka 22 lokacione kulturore në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s (Agjencisë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara).

Top Channel