Anëtari më i ri i bordit drejtues të Bajernit të Mynihut Oliver Kahn premtoi se do të zbusë temperamentin e tij famëkeq. Më 1 janar 50-vjecari gjerman filloi mandatin e tij 5-vjeçar në Bordin Ekzekutiv të Bajernit, ndërsa 24 muaj më vonë Oli Kahn do të marrë vendin e Karl-Heinz Rummenigge-s për t’u bërë shefi i ri i “të kuqve”, sidoqoftë në një konferencë për shtyp të dhënë në kryeqendrën e Bavarisë ish-kapiteni i famshëm i këtij ekipi dhe një ndër portierët më të mirë të të gjitha kohërave deklaroi se do të përpiqet për të ndryshuar karakterin e tij famëkeq.

Oliver Kahn mbahet mend si një ndër kokat më të nxehta të Bajernit, përgjatë karrierës së tij 14-vjeçare me “rekordmenët e Gjermanisë”, megjithatë 50-vjeçari nga Karlsruhe premtoi se do të jetë i përmbajtur në sallën e mbledhjeve. Pas tërheqjes nga futbolli përveç rolit të opinionistit në studiot e ndryshme televizive Oliver Kahn filloi aktivitetin e tij në biznes dhe sipërmarrje, e në fakt në konferencën për shtyp Oli me buzën në gaz qartësoi se karakteri i tij i ashpër e ka ndihmuar ndjeshëm gjatë karrierës së tij të gjatë, por në biznes një gjë e tillë nuk është domosdoshmërisht kaq e dobishme. Gjatë këtyre dy vjetëve Oliver Kahn do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me figura shumë të rëndësishme të klubit si Karl-Heinz Rummenigge dhe Hasan Salihamidzic, për t’u përshtatur sa më shumë me postin e tij të ardhshëm.

Në fjalën e rastit ish-portieri i famshëm premtoi se do të bëhet 100% pjesë e Bajernit të Mynihut. Legjenda e klubit do të ketë detyrën e rëndësishme për të ndërtuar Bajernin e të ardhmes, si dhe për të hapur një epokë të re te klubi i lavdishëm teuton, një mision tepër i vështirë sidomos pas largimit të një “patriarku” sic ishte Uli Hoeness, që hoqi dorë nga presidenca e klubit, apo qoftë edhe pas përfundimit të mandatit në këtë rol në fundin e vitit 2021 të një emri të madh si “Kalle”. Oli Kahn shpjegoi se është i ndërgjegjshëm për pritshmëritë e larta që ka një klub si Bayerni, por gjithsesi ish-kapiteni shtoi se një sfidë e tillë i shkon përshtat karakterit të tij. 50-vjeçari kujtoi një shprehje të famshme të njërit prej trajnerëve të dikurshëm: se çdonjeri që firmos për këtë klub, duhet ta dijë se çfarë përgjegjësie po merr përsipër. Plot krenari ai tha se që të jesh pjesë e Bajernit duhet synuar për të qenë numri 1 në çdo sektor, pasi drejtuesit kanë për objektiv për t’iu ofruar fansave të shumtë një futboll të shkëlqyer, prandaj nevojitet edhe krijimi i kushteve të duhura ekonomike, pa harruar aspak edhe sektorin e ekipeve zinxhir, sepse sipas tij puna me moshat mbetet edhe një nga cështjet më të rëndësishme që ka klubi.

Ndërkaq, presidenti i ri, Herbert Hainer deklaroi se Kahn u përzgjodh pikërisht për njohuritë e tij të thella në sport, biznes, por mbi të gjitha ngaqë ka ADN e Bajernit. Me “të kuqtë” portieri legjendar ka fituar Champions League-n, Kupën UEFA, Kupën e Botës për Klube, 8 herë Bundesligën si dhe 6 herë Kupën e Gjermanisë, përpara se të tërhiqej nga ky sport në vitin 2008. Ish-kapiteni do të kujtohet gjithmonë si heroi i Champions-it të fituar në San Siro, teksa i priti plot tre 11-metërsha futbollistëve të Valencias. Përveç aftësive të tij të jashtëzakonshme mes shtyllave, për ashpërsinë dhe karakterin e tij shpërthyes Oliver Kahn fitoi nofkën “Vullkani”. Vlen të theksohet gjithashtu edhe fakti se pas tërheqjes nga futbolli 50-vjeçari ka marrë “master” në fushën e menaxhim-biznesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA