200 ushtarë të rinj i janë bashkuar ushtrisë së madhe dhe të famshme të Kinës, “terrakota”.
Arkeologët zbuluan 200 ushtarë të rinj prej balte gjatë gërmimeve në qytetin e të vdekurve, në afërsi të varrit të perandorit të parë të kinës Qin Shi Huang.
Ushtria Terracotta, u zbulua nga fermerët vendas në vitin 1974 dhe ka më shumë se 8200 ushtarë të gdhendur në baltë. Besohet se ata u ndërtuan dhe u varrosën pas vdekjes së perandorit të parë kinez, 2 mijë vite më parë, për ta mbrojtur atë në jetën e përtejme. Ushtarët prej balte, kanë përmasa reale, 1.8 metra të gjatë.
Ata janë vendosur në një pjesë të nekropolit të madh që rrethon varrin e perandorit kinez. Dhe në fakt, ushtria Terracotta është vetëm një pjesë e kompleksit që sipas ekspertëve mbulon rreth 98 km katrorë tokë.
Thuhet se rreth 700 mijë zejtarë kinezë kanë punuar për ndërtimin e luftëtarëve në një periudhë kohore që ka zgjatur me vite. Secila prej statujave është unike, me veshje, parzmore dhe shtiza. Gërmimet ndërkohë vazhdojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e të tjerave surpriza.
Top Channel