Pelegrinët serbë nuk kanë udhëtuar si përvit drejt Gjakovës për të vizituar në 6 janar Kishën Ortodokse. Këtë e konfirmoi kreu i Policisë për rajonin e Gjakovës, Kristë Gjokaj.
Dhjetëra gjakovarë kishin protestuar mëngjesin e sotëm kundër mbërritjes së pelegrinëve serbë. Ato kanë kërkuar më shumë angazhim nga institucionet kosovare, dhe i kanë bërë thirrje ndërkombëtareve që të kushtëzohet Serbia për kthimin e trupave të zhdukur dhe zbardhjen e gjitha vrasjeve që ndodhën në këtë qytet gjatë luftës.
Protestuesit më pas janë shpërndarë qetësisht. Përfaqësuesi i Shoqatës së Personave të Zhvendosur nga Gjakova, Gjokica Stanojevic, shpjegoi se anulimi i mbërritjes së pelegrinëve, ishte bërë pikërisht për këtë arsye. Njerëzit, sipas tij, ishin informuar se do të kishte “tubime problematike” në afërsi të kishës.
“Me qëllimin që kjo të mbetet një ditë paqeje, ne hoqëm dorë edhe pse një numër i madh njerëzish ishin të gatshëm të vinin”, është shprehur ai.
Për faktin që qytetarët serbë të zhvendosur nga Gjakova, nuk mund të vizitojnë faltoret e tyre, janë politikanët që janë vënë në krye të dialogut Kosovë-Serbi. Qytetarët serbë e kanë traditë që ta vizitojnë çdo vit për festën e Krishtlindjes Ortodokse Kishën në Gjakovë.
Top Channel