Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell shprehu sot keqardhje të thellë për njoftimin e fundit nga Irani mbi heqjen e të gjitha limiteve për pasurimin e uraniumit.
“Zbatimi i plotë i marrëveshjes për programin bërthamor nga të gjithë, tani është më i rëndësishëm se kurrë, për stabilitetin rajonal dhe sigurinë botërore”, shkruan Borrell në Twitter.
Ai theksoi gjithashtu se do të punojë me të gjithë pjesëmarrësit për rrugën që do të ndjekin.Përfaqësuesi i lartë evropian nënvizoi se Bashkimi Evropian do të mbështetet në punën e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) për vlerësimin e pasojave.
“Ne duhet t’i besojmë asaj dhe të shohim atë që thotë Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike për sa i përket fakteve mbi terren”, theksoi Peter Stano, zëdhënësi i tij, në një konferencë shtypi.Dje, Josep Borrell i bëri një ftesë ministrit iranian të Punëve të Jashtme, Mohammad Javad Zarif për të ardhur në Bruksel, duke i kërkuar edhe një herë shtensionimin e situatës në Lindjen e Mesme.Ambasadorët e vendeve të NATO-s do të mblidhen sot për të diskutuar për krizën mes SHBA-së dhe Iranit.
Top Channel