Grupet e ndryshme kriminale po vazhdojnë të shfrytëzojnë vajzat e mitura për trafikim me qenie njerëzore. Trafikantët po i keqpërdorin viktimat, kryesisht për përfitime apo me qëllim të shfrytëzimit seksual, përkatësisht për prostitucion. Kjo dukuri ka shënuar rritje gjatë vitit 2019, gjë që po shihet me shqetësim të madh nga organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut.
Në një intervistë për KosovaPress, shefi i sektorit qendror të hetimit të trafikimit me qenie njerëzore, Riza Murati ka treguar për numrin e personave të trafikuar gjatë vitit 2019.
“Në këtë vit janë të identifikuara në total 26 viktima të trafikimit që në krahasim me vitin e kaluar kemi pasur 15 viktima. Shohim një rritje të rasteve të identifikuara të viktimave të trafikimit…nga vendet më të ndryshme, por kryesisht janë apartamente private, shumica e tyre janë në këtë formë të shfrytëzimit ku vajzat e reja, sepse numri i madh prej 26 janë 23 vajza, ndërsa 3 meshkuj, janë rekrutuar në rrugë apo edhe në lokale të ndryshme të qëndrimit të tyre. Edhe një pjesë e tyre kanë qenë edhe të raportuara si të zhdukur nga vet familjarët e tyre. Dhe forma e shfrytëzimit të tyre ka qenë për prostitucion”, deklaron Murati.
Vendet ku është ushtruar më shumë kjo veprimtari kanë qenë Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Peja dhe Prizreni.
Murati thotë se për këto vepra gjatë vitit të kaluar janë arrestuar me dhjetëra trafikantë.
“Janë 31 persona të arrestuar për trafikim me qenie njerëzore, ndërsa, janë tetë persona të tjerë që janë arrestuar për shërbime seksuale të viktimave, që ndërlidhet me trafikimin e njerëzve. Në total janë 197 persona të arrestuar dhe një pjesë e tyre të atyre personave nuk kanë pasur të bëjnë me vepra penale të tjera që ndërlidhen me trafikimin. Në këtë rast kemi me prostitucion, e kemi prostitucionin si kundërvajtje dhe e kemi keqtrajtimin apo braktisjen e fëmijës”, shton Murati.
Murati mes tjerash thotë se shumica e rasteve të identifikuara janë nga vetë Policia e Kosovës, derisa sipas tij, shumë pak raportohen nga vetë viktimat.
Për këtë zyrtarja për media në Administratën Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa, tregon për KosovaPress, se sa veprimtari të jashtëligjshme janë mbyllur gjatë vitit të kaluar.
“Për periudhën janar-nëntor 2019, ATK tek kjo veprimtari, sallonet e masazheve ka zhvilluar diku 103 vizita, mirëpo duhet potencuar kodet të cilat janë të regjistruara këtu këto veprimtari, janë të regjistruara edhe veprimtari të tjera, siç janë për mirëmbajtje të fytyrës, trupore, ku mund të hyjnë edhe kategoritë të tjera të natyrës së ngjashme. Tek ky aktivitet që është i ngjashëm me njëri-tjetrin, kemi zhvilluar 103 vizita dhe janë shqiptuar 44 gjoba, ku vlera e këtyre gjobave arrin në 11 mijë e 875 euro. Kryesisht këto gjoba janë lëshuar për mos-deklarim të obligimeve tatimore, si dhe mos-lëshim të kuponit fiskal pas shërbimeve që u janë ofruar klientëve”, tregon ajo.
Nga 26 viktima të trafikimit, dy janë të Malit të Zi, dy nga Serbia, një nga Shqipëria, ndërsa 21 të tjera janë nga Kosova.
“Prej 26 viktimave, 15 janë nën moshën 18 vjeçare që është shqetësuese se kemi prezencën e fëmijëve në rast të trafikimit. Dhe forma më e shpeshtë është për prostitucion të detyruar, për shërbime seksuale. Duke mos përjashtuar raste kur kemi pasur martesë të detyruara dhe rastet kur kemi pasur kërkim lëmoshë. Kemi dy raste të kërkim lëmoshës, që personat tjerë kanë qëndruar prapa tyre”, deklaron ai.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, thotë se është shumë shqetësuese numri i viktimave të trafikimit, por edhe se si Kosova prej një vendi që ka qenë tranzit, është kthyer në burim të trafikimit.
“Të paktat janë rastet kur viktimat e trafikimit nuk janë edhe viktima të dhunës në familje, shumica e këtyre rasteve një herë përjetojnë ndonjë formë të dhunës. Dhuna nuk do të thotë gjithqysh të jetë fizike, ta kemi të qartë sepse nëse një prind është i pakujdesshëm, është neglizhent ndaj fëmijëve të vet, është shumë më e lehtë që ata fëmijë me qenë viktima edhe të trafikuesve apo ndoshta edhe të trafikohen nga vet anëtarët e familjes, ku kemi raste kur baballarët i kanë trafikuar fëmijët e tyre për përfitime materiale ose bashkëshortët i kanë trafikuar gratë e tyre për përfitime materiale”, thotë Berisha.
Sipas Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari trafikimi është vepër penale dhe autoriteti bazë i cili do të duhej të trajtojë këtë fenomen është prokuroria dhe institucionet e rendit. Jashari kritikon institucionet e shtetit se nuk po punojnë mjaftueshëm për strehimin dhe mbrojtjen e këtyre viktimave.
“Vet kategorizimi i kësaj kategorie si vepër penale tregon mjaftueshëm që është vepër, e cilësuar nga ligjvënësit si vepër e cila dëmton shoqërinë dhe si rrezikshmëri shoqërore, dhe si e tillë duhet kuptuar dhe trajtuar. Nëse në anën tjetër viktimat të trafikimit që shpesh herë janë në mënyrë absolute viktima të këtij procesi kriminal nuk marrin trajtimin adekuat nga institucionet shtetërore që do të duhej të ishin thjesht bartëse të krejt procesit, riintegrimit prapë shoqërore dhe trajtimit shëndetësor, që do të duhej të ndodhte në rast se gjykatat konstatojnë se ka qenë viktimë gjatë procesit të këtij rrjeti ose të këtij sistemi kriminal të organizuar të individëve të caktuar”, deklaron Jashari.
E vetmja e arritur sipas Jasharit është bërë me miratimin e ligjit në vitin, 2015 kur është nxjerrë ligji, i cili e parasheh një kompensim që do të duhej t’i ofrohej këtyre viktimave, por i cili në praktikë nuk ka funksionuar.
Në numër të madh, trafikimi me qenie njerëzore mund të fillojë me mashtrim për një jetë më të mirë, që përfundon në mungesë të lirisë dhe shkelje e të drejtave themelore të fëmijëve dhe të njeriut.
Top Channel