“Cunami demokratik”/ Katalonjë, një aplikacion për të koordinuar protestat

03/01/2020 13:11

Një grup pro pavarësisë në rajonin e Katalonjës në Spanjë ka gjetur një mënyrë të veçantë për të organizuar protestat duke shmangur autoritetet: përdorin një aplikacion për telefonat inteligjentë.

Aplikacionin e ka vënë në përdorim grupi “Cunami Demokratik”; qëllimi I tij është të koordinojë demonstratat në të gjithë rajonin. Objektivi më i fundit ishte ndeshja e futbollit me famë botërore El Clasico, mes Barcelonës dhe Realit të Madridit që u mbajt më 18 dhjetor.

Në ambientet jashtë stadiumit pati përleshje të dhunshme dhe loja u ndërpre pasi protestuesit hodhën në fushë topa me parulla pro-pavarësisë. “Cunami Demokratik” nuk ka ndonjë udhëheqës që të dalë në plan të parë, dhe ata që qëndrojnë pas tij, janë anonimë. Javët e fundit grupi ka mobilizuar me mijëra protestues brenda pak minutash duke i kapur autoritetet në befasi.

“Funksionon në mënyrë të decentralizuar, në kuptimin që nuk mund të përcaktohet se kush po i nis njoftimet për protestat”, thotë profesori Enric Lujan, ekspert i shkencave politike në universitetin e Barcelonës. “Aplikacioni është krijuar në mënyrë që të shmangë mundësinë që autoritetet të dinë se kush qëndron pas “Cunamit Demokratik”, që është makthi më i madh, për shembull, i ministrisë të Brendshme të Spanjës”, shton ai.

Ekspertët thonë se, aplikacioni mund të përdoret edhe nga lëvizje të tjera, siç janë demonstratat pro-demokracisë në Hong Kong.

 

Top Channel