Barcelona nuk ka detyrim prej 2.4 milionë eurosh ndaj Arturo Vidal për bonuse të pretenduar prej kilianit. Ky është përfundimi i arritur nga Komisioni i formuar nga eksponentë të La Ligës dhe Shoqatës Spanjolle të Futbollistëve të cilët nuk kanë vënë re asnjë gabim nga ana e klubit, por një interpretim të gabuar të kontratës nga ana e futbollistit, i cili nëse do të dojë t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje duhet t’i drejtohet gjykatës civile.
Vidal nëpërmjet avokatit të tij i kishte kërkuar bonuset duke u bazuar te një klauzolë e kontratës për zhvillimin e 60% të ndeshjeve, por sipas vendimit të Komisionit, kjo klauzole ishte e interpretueshme nga ana e Barcelonës. Çelësi qëndron në minutazhin e vendosur për përcaktimin nëse ndeshja është luajtur apo jo dhe zakonisht në kontrata klubet nisen nga një minimum prej 45 minutash. Në këtë pikë, Vidal jo gjithmonë e ka arritur këtë minutazh, kështu që Komisioni e hodhi poshtë denoncimin e tij.
Tashmë në Barcelonë është krijuar një situatë jo shumë komode për klubin e sidomos Vidal që prej kohësh është vënë në shënjestrën e Interit me kilianin që mesa duket në orët e fundit ka vendosur të frenojë zikaltrit në ëndrrën e tyre. Vidal është kthyer nga pushimet dhe nisi stërvitjen me skuadrën e Barcelonës për derbin e së shtunës me Espanyolin gjë që e pasqyroi edhe në rrjetet sociale teksa postoi një foto me mesazhin: U ktheva në shtëpi.
Një mesazh ky që siç ndodh gjithnjë në rrjetet sociale mund të interpretohet, por duke parë se është dhënë në periudhën e merkatos së transferimeve, nuk ofron shumë optimizëm për zikaltërit.
Top Channel