Për të mësuar vlerën në merkato të një futbollisti në mbarë botën çdokush i drejtohet portalit të specializuar në këtë aspekt ‘Transfermarkt’. Sa herë është periudha e ndërrimit të viteve ky portal bën një përditësim të vlerave të merkatos së futbollistëve. Kategoria Superiore nuk bën përjashtim në këtë pikë me Transfermarkt që zbuloi të gjitha detajet e vlerës së futbollistëve, por edhe të klubeve.
Sipas këtij portali, vlera totale e të gjitha skuadrave të Kategorisë Superiore është 39.1 milionë euro.
Skuadra kampione e Partizanit është ajo që kryeson në këtë pikë me një vlerë prej 7.05 milionë eurosh, e ndjekur nga Kukësi me 5.4 milionë euro, ndërkohë që podiumin e plotëson skuadra e Tiranës me një vlerë prej 4.53 milionë eurosh. Bardheblutë pasohen nga Laçi, Teuta e Bylis, ndërkohë që skuadra me vlerën më të ulët në merkato është Luftëtari me 2.25 milionë euro.
Përsa u përket futbollistëve, rekordin e mban futbollisti i Kukësit, Vasil Shkurtaj me 575 mijë euro, duke shënuar edhe vlerën më të lartë të merkatos në karrierën e tij. Në vendin e dytë gjendet Kristal Abazaj me 550 mijë euro, po aq sa edhe Lorenc Trashi, edhe për këtë të fundit bëhet fjalë për vlerën më të lartë në karrierë të regjistruar deri tani. Klasifikimi vijon me talentin e Teutës, Sherif Kallaku, Jurgen Bardhin e Nwabueze. Dhjetëshen e futbollistëve me vlerën më të lartë në merkato për Kategorinë Superiore e plotëson Jasir Asani me 400 mijë Euro, por ky i fundit është larguar nga skuadra e Partizanit për t’u transferuar në kampionatin suedez.
Top Channel