Kosova përjetoi ëndrrën në kualifikueset e Europianit.
2019-ta ishte gjithashtu viti i përfaqësueses së Kosovës. “Dardanët”, pas figurës së mirë në grupin e tyre të Ligës D në Nations League, ku siguruan pjesëmarrjen në fazën play-off të Ligës së Kombeve, bënë paraqitje të shkëlqyera edhe në Grupin A të kualifikueseve të Europianit, duke e mbyllur në vendin e 3-të me 11 pikë, pas Anglisë dhe Republikës çeke. Skuadra e Bernard Challandes la pas kundërshtarë si Bullgaria dhe Mali i Zi dhe madje luftoi për të siguruar kualifikimin direkt në Euro 2020 nëpërmjet elimintoreve, gjithsesi Kosova do ta ketë edhe një shans tashmë në fazën play-off të Nations League.
Feronikeli kampion i Kosovës për herë të tretë në histori
Në Ipko Superligën e Kosovës, Feronikeli fitoi për herë të 3-të në historinë e tij kampionatin duke siguruar edhe për herë të parë pjesëmarrjen në Champions League. Me Zekirija Ramadanin në krye Feronikeli mposhti konkurrencën e Prishtinës dhe Llapit ndërkohë që në Europë arriti të kalonte turin paraeliminator të Championsit, megjithatë u eliminua më pas nga The Neë Stations në turin e parë të Champions Leagues dhe nga Slovan Bratislava në turin e 2-të të Europa Leagues.
Digitalb Kupa, konfirmohet Feronikeli
Edhe në Digitalb Kupën e Kosovës fati i buzëqeshi skuadrës më të mirë që ishte Feronikeli. Në finalen e madhe të zhvilluar në stadiumin Fadil Vokrri në datën 24 maj, Feronikeli “theu” lehtësisht me rezultatin 5-1 Trepca ’89, duke siguruar kështu edhe trofeun e Digitalb Kupës për herë të dytë. Feronikeli si fitues i kampionatit dhe Kupës fitoi automatikisht edhe Superkupën e Kosovës pa zbritur fare në fushë.
Shkëndija e Tetovës, pa kundërshtarë në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut ishte sërish viti i Shkëndijës së Tetovës. Kuqezinjtë fituan titullin e dytë rresht dhe të 3-in në historinë e klubit. Një kampionat i dominuar dhe i fituar me plot 15 pikë avantazh nga Shkëndija ndaj ndjekëses më të afërt, që edhe këtë herë ishte Vardari i Shkupit. Në Europë megjithatë Shkëndija zhgënjeu duke u eliminuar menjëherë që në turin e parë të Championsit dhe më pas në turin e dytë të Europa Leagues.
Top Channel