Shtrëngime në futboll! Kina, jo më miliona të hedhura kot

31/12/2019 11:04

Për ata që ishin mësuar me një pazar të çmendur të klubeve kineze të futbollit, mes pagesave jashtë logjikës dhe joshjen e yjeve me miliona dollarë, muzika është e destinuar të ndryshojë.

Ekipet që synonin yje të futbollit evropian dhe të Amerikës së Jugut tani do të duhet të vuajnë masa shtrënguese ekonomike, me limit pagash dhe një politikë shtetërore që po rikthen fokusin te talentet vendas.

Kina është një vend që shkëlqen në Lojërat olimpike me disiplinë të hekurt dhe përgatitje mes brezave. Por në futboll ka dështuar thuajse gjithmonë, ashtu si në botërorin e 2018, e siç duket edhe në atë të vitit 2022 në Katar. Shteti dhe Federata kanë aplikuar një plan për ringritjen e kombëtares deri në vitin 2050, një dëshirë e presidentit Shi Xhinping që po sjell masa konkrete. Asnjë futbollist i huaj nuk do të arkëtojë më shumë se 3 milion dollarë në vit, ndërsa për lojtarët kinezë, limiti është 1.2 milionë. Përjashtim do të bëjnë vetëm ata që aktivizohen me kombëtaren dhe do të marrin 20% më shumë. Në çdo rast, asnjë klub nuk do shpenzojë më shumë se 60% të fitimit.

Prioriteti duke nisur nga 2020 do të jenë futbollistët vendas. Ministria e Arsimit ka vendosur klasa futbolli për 27 mijë shkolla, praktikisht 27 milionë studentë të rinj që do të provojnë të bëjnë magji me topin, me shpresën se një ditë edhe Kina do të prodhojë një Ronaldo apo Lionel Mesi.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA