Porti i Durrësit, “aktiv” edhe në ditën e fundit! Mbërrijnë 2 tragete nga Bari, priten edhe 5 anije tregtare

31/12/2019 12:34

Porti më i madh i vendit, ai i Durrësit është në aktivitet të plotë dhe në ditën e fundit të vitit, ndërsa mesnata pret të sjellë vitin 2020 e shoqëruar nga sirenat e anijeve që ndodhen në port.

Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual njofton se puna do të vijojë pa ndërprerje dhe sot. Në kalatat 1, 2 dhe 5 të terminalit perëndimor po përpunohen 3 anije me rreth 9,600 ton mallra gjithsej, si xhama, melaminë dhe çimento, ndërsa në kalatën 6 po përpunohet një anije e specializuar me 705 kontenierë gjithsej.

Ndërkaq, dy tragetet e linjës Bari – Durrës kanë sjellë sot në portin më të madh të vendit 1020 udhëtarë me 171 automjete. Nga Qendra e Informacionit në APD mësohet se edhe në ditën e fundit të vitit 2019 në port pritet të hyjnë edhe pesë anije të tjera tregtare me kripë, ure, kontenierë dhe çimento, mbi 12 mijë ton mallra.

Top Channel