Qyteti i Lushnjes u trondit mëngjesin e së martës nga një ngjarje e rëndë ku mbeti i plagosur kryetari i Bashkisë së këtij qyteti, Fatos Tushe dhe sekretarja e tij Erisa Qalliu.

Ngjarja ndodhi në godinën e bashkisë, pikërisht në zyrën e kryetarit, ku ish shoferi i tij Gëzim Saraci, hedh një granatë dhe largohet.

Autori Saraçi, sipas informacioneve të Top Channel, ka hyrë në zyrën e kryetarit të bashkisë, rreth orës 8:15, ku disa minuta më pas, kanë pasur një konflikt verbal midis tyre me tone të larta.

Kjo e ka shtyrë sekretaren Qalliu, që të hap derën për të parë se çfarë po ndodhte, e pikërisht në ato moment, ish shoferi, hedh granatën e dorës dhe largohet, duke i lënë të dy të plagosur.

Tushe dhe Qalliu, u dërguan në spitalin e Lushnjes për të marrë ndihmën e parë mjekësore dhe të jashtë rrezikuar për jetën, më pas u dërguan në spitalin e traumës për ndihmë më të specializuar.
Kryetari i Bashkisë, ka marrë dëmtime të lehta në pjesën e djathtë të kraharorit dhe në këmbë, ndërsa, sekretarja e tij, u dëmtua më rëndë, në pjesën e fytyrë dhe në dorë.

Motivet e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta dhe po punohet për zbardhjen e tyre, megjithatë dyshohet për konflikte të lindura kohët fundit në raportet mes Tushës dhe Saraçit.

Ky i fundit ka qenë shofer për rreth gjashtë vite i kryetarit të bashkisë, për tu shkëputur dy vite e gjysmë më parë.
Ngjarja po hetohet nga një grup i posaçem hetimor i departamentit të policisë kriminale, të cilët hynë në godinën e bashkisë për të mbledhur provat e kësaj ngjarjeje, ku u përdorë një granatë dore.

Ndërkaq, policia është vënë në ndjekje të autorit Gëzim Saraçi dhe për këtë arsye ka ngritur postblloqe të shumta në hyrje daljet e qytetit të Lushnjes, por edhe në qytete të tjera, si ne Plepa të Durrësit, apo në hyrje të Vorës.

/Andi Bora/

Top Channel