Sondazhi traditë i Top Channel për njeriun e vitit nxorri si fitues me më shumë vota gazetarin e “Gjurmë Shqiptare” Marin Memën. Ai së bashku me shoqatën rrënjë shqiptare kanë arritur të grumbullojnë një shifër të konsiderueshme parash për të ndihmuar të pastrehët e tërmetit.
Lista pason me vendin e dytë Elvis Nacin, imamin që drejton fondacionin bamirës Firdeus dhe që ka arritur të mbledhë disa miliona euro për të rindërtuar shtëpitë e dëmtuara.
Në vendin e tretë është renditur Luan Kapaj, zjarrfikësi hero nga Vlora që shpëtoi jetën e dy personave nën rrënojat e Pallatit 6 katësh.
Në listën e propozuar nga Departamenti i Informacionit të Top Channel kanë qenë edhe Alvin Berisha, vogëlushi i mbetur i burgosur në kampin famëkeq të AL Howl në Siri pasi nëna e tij u vra. Arben Cara, zjarrfikësi që humbi 7 familjarë në Thumanë, teksa ishte në krye të detyrës duke shpëtuar jetë në ish hotelin Vila Palma në Durrës. Luljeta Bozo, profesoresha e inxhinierisë që i dha dritë e shpresë shqiptarëve. Arbër Hajdari, drejtues i Fundjave Ndryshe . Nga Kosova kemi zgjedhur fituesin e zgjedhjeve të fundit, Albin Kurtin kreun e Vetëvendosjes. Po ashtu Serena Leka, shqiptarja që mori çmimin e parë në samitin botëror të inovacionit. Dua Lipa, shqiptarja e parë që fitoi çmimin Grammy apo Bebe Rexha, këngëtarja shqiptare me famë botërore, e cila vizitoi Shqipërinë pas tërmetit dhe premtoi rindërtimin e dy shtëpive dhe një shkolle.
Këto janë shifrat finale të votimit të publikut për Njeriun e Vitit:
Një pjesë e mirë e propozimeve tona u përcaktuan sidomos pas ngjarjes më tragjike të vitit, tërmetit të 26 Nëntorit. Prandaj edhe shqiptarët e propozuar janë nga treva të ndryshme, ashtu sikurse solidariteti dhe ndihma ishte e madhe përgjatë gjithë kësaj periudhe.
Top Channel