Tre persona nuk mundën dot që të festonin ndërrimin e viteve, pasi jeta e tyre u pre në mes si pasoja e tre aksidenteve të ndryshme që ndodhën në vetëm dy ditët e fundit.

Aksidentet të tilla të rënda kanë ndodhur përgjatë gjithë vitit 2019, ku 11 muajt e parë, kanë regjistruar 203 viktima, 13 më shumë se e njëjta periudhe e vitit të kaluar.

Por cilat kanë qenë disa nga aksidentet me më shumë pasoja të cilat kanë përgjakur rrugët e vendit?

Në 14 maj të këtij viti, në dalje të qytetit të Kavajës, një makinë përplas një nënë me dy vajzat e saj. Nga përplasja ndërron jetë nëna dhe pasagjeri i makinës, ndërsa një ditë më pas ndërron jetë edhe shoferi. Si pasojë e shpejtësisë së lartë, tre persona u ndanë nga jeta.

Një tjetër rrugë e cila ka marrë jetë njerëzish është edhe rrethrrotullimi i Kolonjës, ku vetëm gjatë muajit të fundit, kanë humbur jetën tre persona.

Rasti më i fundit, është i para një jave, ku humb jetën Mandelino Rrebeshi 28 vjeç, ndërsa shoku i tij Elisjon Huma 30 vjeç, i plagos rëndë dhe u dërgua në spital. Makina e tyre goditi bordurën anësorë të rrugës.

Ndërsa në fund të muajit tetor, Alteo dhe Jorgest Shabani, kushërinj me njëri tjetrin, humbën jetën pasi edhe makina e tyre godet bordurën anësore dhe fluturon për rreth 30 metra duke u përplasur me pemët në buzë të rrugës.

Ndërsa pak ditë më parë, në rrugën Elbasan Cërrik, humbën jetën dy persona. Drejtuesi i një motoçiklete, 35-vjeç ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje pasi u përplas nga një makinë, ndërsa pak orë më pas, në spital ndërron jetë edhe pasagjeri i motoçikletës, 56 vjeç.

Autostrada Tiranë Elbasan, është një tjetër rrugë e cila gjatë vitit 2019, ka pasur disa aksidente të rënda. Në 16 qershor, pikërisht në rrethrrotullimin e Teg-ut, shuhen tre anëtarë të një familjeje dhe shoferi i makinës. Shpejtësia e lartë, u ndërpreu jetën katër personave.

E plagosur në këtë aksident mbeti vajza tjetër e familjes, 26 vjeç. Ata po ktheheshin nga një ditëlindje, por fati e deshi, që për vajzën që festoi ditëlindjen, të ishte e fundit e jetës së saj, ditëlindja e 22-të.
Ndërsa një ditë para këtij aksidenti, një tjetër përplasje me makinë e cila ndodhi në aksin e vjetër Tiranë-Elbasan, u merr jetën 2 vajzave 17 vjeçare, Denada Tarja dhe Suada Serani. Tre djem të tjerë, mbetën të plagosur.

Top Channel