“U dëgjua një tingull i tmerrshëm, gjithçka ishte si në filma”: Aeroplani i rrëzuar në Kazakistan, pasagjerët rrëfejnë tmerrin e përjetuar

27/12/2019 12:09

Një aeroplan me 93 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit në bord u rrëzua pranë qytetit të Almaty në Kazakistan të premten menjëherë pas ngritjes, duke vrarë të paktën 15 njerëz, thanë autoritetet në vendin e Azisë Qendrore.

Sipas mediave të huaja, aeroplani Fokker 100 që shkonte drejt kryeqytetit Nur-Sultan në një fluturim para agimit “humbi lartësinë gjatë ngritjes dhe u përplas për një gardh betoni”, para se të godiste një ndërtesë dykatëshe, tha Komiteti i Aviacionit Civil në Kazakistan.
Një e mbijetuar ka thënë se ajo dëgjoi një “tingull të tmerrshëm” para se aeroplani të fillonte të humbiste lartësinë.

“Avioni po fluturonte me një pjerrësi. Gjithçka ishte si në një film: të bërtitura, të bërtitura, njerëzit duke qarë”, tha ajo.

Ndërkohë, një reporter i Reuters që po udhëtonte drejt aeroportit, menjëherë pas aksidentit ka thënë se kishte mjegull në zonë.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë ndonjë supozim rreth shkaktarit të aksidentit.
Komiteti i aviacionit tha se po pezullonte të gjitha fluturimet nga transportuesi Bek Air dhe të aeroplanëve Fokker 100 në pritje të një hetimi.

Bek Air, i cili drejton një flotë të aeroplanëve Fokker 100, tha në një deklaratë se ishte në pritje të informacionit zyrtar nga hetuesit që punojnë në vendin e përplasjes.
Ndërsa një tjetër i mbijetuar, biznesmeni Aslan Nazaraliyev, i tha gazetës Vremya se aeroplani filloi të dridhej ndërsa fitoi lartësi rreth dy minuta pas ngritjes.

“Në një moment ne filluam të rrëzoheshim, jo vertikalisht, por në kënd. Dukej sikur kontrolli mbi aeroplanin ishte i humbur”, tha ai.

Të paktën 15 njerëz gjetën vdekjen dhe 66 u dërguan në spital, përfshirë disa në gjendje të rëndë, thanë autoritetet komunale.

Qeveria ka bërë të ditur se aeroplani i rrëzuar u prodhua në vitin 1996 dhe certifikata e tij më e fundit e fluturimit u lëshua në maj 2019.

Top Channel