“Forcat turke të gatshme për vendosje në Libi”

27/12/2019 14:08

Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes e Turqisë, Nadide Şebnem Aktop, ka deklaruar se Forcat e Armatosura Turke janë plotësisht të gatshme për vendosjen e tyre të mundshme në Libi, pas kërkesës së bërë nga zyrtarët vendas.

Para gazetarëve në Ankara, Aktop tha se ushtria turke është e gatshme të shërbejë nën mandatin e saj brenda dhe jashtë Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Dje, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia do t’i japë mbështetje Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë, e cila gëzon njohjen e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe e cila lufton komandantin ushtarak të vendosur në Libinë lindore, Khalifa Haftar.

Më 27 nëntor, Ankara dhe GNA nënshkruan dy marrëveshje të ndara, një mbi bashkëpunimin ushtarak dhe një mbi kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.

Duke u bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak, Erdoğan tha se Turqia mund ta konsiderojë dërgimin e trupave në Libi nëse GNA kërkon një gjë të tillë.

Që nga rrëzimi i udhëheqësit Muammar Gaddafi në vitin 2011 në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tjetra GNA me qendër në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Top Channel