Projekti për 24 orë ujë në ditë/ Bashkia po zgjedh konsulentin për të realizuar projektin

26/12/2019 15:13

Ujësjellësi i Tiranës ka hapur tenderin për të përzgjedhur kompaninë konsulentë që do të hartojë projektin për furnizimin pa ndërprerje të Tiranës me ujë.

Sipas njoftimit të shpallur në agjencinë publike, kompania konsulente duhet të paraqesë projektin teknik të furnizimit me ujë 24 orë të kryeqytetit, por edhe preventivin për koston financiare të këtij investimi.

Fondi limit i vënë në dispozicion për këtë tender është 67.8 milionë lekë, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave është caktuar data 7 janar.

Furnizimi me ujë pa ndërprerje i kryeqytetit ka qenë një zotim i hershëm i Bashkisë së Tiranës. Në nëntor të vitit 2017, enti rregullator aprovoi kërkesën e bashkisë për të rritur me 44 për qind të çmimin e ujit për banorët e kryeqytetit. Rritja me efekt 10 milionë dollarë në vit u justifikua me investimet që nevojiteshin për të përmirësuar furnizimin me ujë të familjeve në tiranë.

Sipas raportit vjetor të Entit rregullator, ne vitin 2018 koha e furnizimit me ujë te Tiranes ra në 10.1 orë në ditë, ndërkohë që gjatë verës së këtij viti situata ishte edhe më e rënduar.

Tenderi i fundit i shpallur nga ujësjellësi vjen menjëherë pas udhëzimit të bashkisë për të hequr depozitat e ujit nga tarracat e pallateve. Megjithatë ky tender vetëm përzgjedh kompaninë konsulente që do të hartojë projektin teknik dhe fondet që nevojiten për të furnizuar kryeqytetin me ujë pa ndërprerje. Ajo që mbetet për tu parë është se kur do të nisin investimet reale që do ti japin fund një herë e mirë mungesës së ujit në kryeqytet.

/Klodian Tomorri/

Top Channel