Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se Serbia nuk do të anëtarësohet në NATO “derisa Aleksandar Vuçiq (president i Serbisë) dhe kjo shumicë parlamentare të jenë në krye të vendit”.

Ai paralajmëroi se Serbia, për herë të parë, do të zhvillojë ushtrime ushtarake me Kinën, gjatë vitit të ardhshëm.

“Ne po bashkëpunojmë me NATO-n, por gjithashtu jemi duke bashkëpunuar me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik në kuadër të Traktatit të Sigurisë Kolektive. Këto vende nuk na kërkojnë të heqim dorë nga një pjesë e territorit”, tha Vulin në parlamentin serb.

Ai tha se neutraliteti ushtarak është “i shtrenjtë”, por që nuk ekziston presion nga i cili do të hiqte dorë nga kjo politikë, sepse shtoi ai “ju nuk jeni një vend i lirë nëse dikush tjetër ju ruan qiellin”.

Serbia ka zhvilluar stërvitje ushtarake me Rusinë gjatë muajit tetor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se është i impresionuar nga ajo që mund të bëjnë sistemet ruse tokë-ajër.

Serbia, e cila është bombarduar nga NATO-ja në vitin 1999 për shkak të dhunës në Kosovë, e kundërshton anëtarësimin në aleancë.

Rusia po ashtu është kundër zgjerimit të NATO-s me vendet e Ballkanit.

Në muajin nëntor, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka nxjerrë një dokument, në të cilin thuhet se marrëdhëniet Serbi-Rusi janë forcuar që nga ardhja në pushtet e Vuçiqit në vitin 2012.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA