Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i ka uruar të gjithë shqiptarëve festat e fundvitit. Përmes një videomesazhi në Facebook, kreu i Bashkisë shpreh bindjen se 2020 do të jetë një vit i mbarë dhe i paharruar për Tiranën.
“Të dashur qytetarë të Tiranës, dua të marr pak kohë për t’ju uruar nga zemra, festa të mbara. Viti që po lëmë pas ishte sa i suksesshëm për Tiranën, por po aq edhe i vështirë edhe sfidues. Tërmeti i nëntorit la jo pak shenja në jetën e secilit prej nesh. Ishte një nga ato ngjarje të cilën nuk do ta harrojmë lehtë gjithë jetën tonë. Po e dini çfarë? Atë ditë dhe ditët që pasuan ne kuptuam se kemi një forcë të madhe brenda vetes, një forcë që na bën të ringrihemi më shpejt dhe më të fortë se ç’ishim më përpara dhe kjo forcë është dashuria për njëri-tjetrin. Qyteti ynë sot është më i bashkuar se kurrë dhe më solidar se asnjëherë tjetër. Kjo më mbush me krenari, me entuziazëm dhe me energji pozitive gati për vitin 2020”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj i shpreh mirënjohjen edhe të gjithë atyre që këto festa i gjejnë në krye të detyrës. “Ndaj sot dua që të uroj secilin prej jush që çdo ditë jep pa kursim energjinë e tij për jetën e këtij qyteti. Dua të ndalem te stafi shëndetësor, te policia, zjarrfikësit, punëtorët e qytetit, mësuesit, edukatorët, këdo që i dhuron jetë këtij qyteti të mrekullueshëm. Qoftë një vit i mbarë dhe plot begati për ju dhe familjen tuaj. Çdo qytetar i Tiranës që jeton në qendër apo në periferi i uroj që tavolinën dhe zemrën ta kenë plot në këto ditë. Çdo emigrant që kthehet për pushime në atdhe uroj t’i gjejë njerëzit e dashur më mirë se ç’i la dhe suksese kudo qoftë nëpër botë e kudo quhet shqiptar. Kujtdo që për një rrethanë apo një tjetër këtë vit humbi njeriun e afërt, njeriun e zemrës, uroj që të bëhet më i fortë e të eci përpara. Çdo fëmijët që do të lindë i uroj jetë të gjatë dhe mirë se vjen në qytetin tonë ku do të rritet me dashuri dhe me plot ngrohtësi”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë siguron se Tiranën e presin në 2020 shumë punë të mira duke filluar nga 100 vjetori i Tiranës kryeqytet, e plot aktivitete që janë përgatitur për të vijuar në rrugën e drejtë të transformimit të Tiranës.
“Unë jam i bindur se 2020 do të jetë një vit i mbarë dhe i paharruar për Tiranën. Na presin shumë punë të mira duke filluar nga 100 vjetori i Tiranës kryeqytet, e plot aktivitete që kemi përgatitur të cilat duan shumë energji pozitive dhe këmbëngulje për të vijuar në rrugën e drejtë të transformimit të Tiranës. Na priftë e mbara të gjithëve. Kjo është Tirana, familja jonë e madhe ndaj ju dua shumë të gjithëve dhe ju uroj Gëzuar Festat”, theksoi Veliaj.
Top Channel