Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi fushatë elektorale me premtimin se do t’i nxirrte Shtetet e Bashkuara nga ato që i quajti “luftëra pa fund”.
Megjithatë, janë ende rreth 200 mijë ushtarakë amerikanë të ndodhur jashtë vendit. Gjithashtu, më shumë ushtarakë amerikanë ndodhen tashmë në Lindjen e Mesme, krahasuar me periudhën përpara se zoti Trump të merrte detyrën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, njofton rreth strategjisë së administratës për t’u përballur me konfliktet e huaja dhe se çfarë mund të pritet në vitin e ri.
Trazira në Sirinë verilindore, pasi Presidenti Donald Trump tërhoqi papritur forcat amerikane në muajin tetor, duke e lënë rajoni të hapur për ofensivën turke ndaj kurdëve.
Javë më vonë, një raport i Pentagonit tregoi se vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr, i ka dhënë grupit terrorist Shteti Islamik një mundësi për t’u ringritur.
“Pozicioni ynë në Siri është sot më delikat, më i komplikuar se ç’ishte përpara se Presidenti Trump të arrinte marrëveshjen me Presidentin Erdogan”, thotë Geral Feierstein, i Institutit të Lindjes së Mesme.
Presidenti Trump ka zhvendosur forcat ushtarake nga Siria drejt Irakut, ku ndodhen tashmë rreth 6 mijë ushtarakë amerikanë.
Por, ai po lë pas disa qindra prej tyre, për të mbrojtur fushat e naftës nga okupimi i Shtetit Islamik. Kalifati ka humbur shumicën e territorit të tij në Irak dhe Siri. Megjithatë, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm është ende një kërcënim serioz.
“A ekziston stabilitet në rajon që do të na siguronte se nuk ka nevojë të dërgojë trupa apo se nuk do të përballemi me rrezikun e konfliktit ushtarak në të ardhmen? Jo”, thotë Anthony Cordesman, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Megjithatë, presidenti vlerëson suksesin e luftës ndaj ISIS-it dhe vrasjen e udhëheqësit Abu Bakr al-Baghdadi, siç u shpreh edhe gjatë vizitës së paparalajmëruar në Afganistan.
Dy mijë forca janë tërhequr nga Afganistani, ndërsa mbeten ende 12 mijë të tjera.
Bisedimet për paqe me talebanët po vazhdojnë.
“Do qëndrojmë derisa të arrijmë një marrëveshje, ose fitoren e plotë. Ata e dëshirojnë shumë një marrëveshje”, tha Presidenti Trump.
Presidenti Trump bëri fushatë elektorale me temën e një linje më të ashpër ndaj Teheranit dhe ka shtuar sanksionet pasi anulloi pjesëmarrjen në marrëveshjen bërthamore.
Presidenti ka dërguar tre mijë forca në Arabinë Saudite, pas sulmit në shtator ndaj infrastrukturës së naftës, për të cilat Riadi fajëson Iranin. Muaj më herët ai vendosi veton ndaj një përpjekjeje dypartiake në Kongres për t’i dhënë fund mbështetjes së Uashingtonit për luftën e sauditëve në Jemen. Kritikët thonë se këto lëvizje së bashku nuk paraqesin një politikë të jashtme të qartë.
“Nuk kemi një strategji të saktë për t’i dhënë fund atij konflikti. Pra, nëse e shikoni rajonin, aty ka probleme shumë të rënda, të cilat ne i kemi shtuar duke marrë një qëndrim për Bregun Perëndimor dhe çështjen palestineze, pa u koordinuar me aleatët dhe pa paraqitur një plan të qartë për paqen”, thotë Anthony Cordesman, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara janë 28 mijë forca ushtarake në Korenë e Jugut si kundërpeshë ndaj fqinjit verior. Bisedimet e Presidentit Trump me Kim Jong Unin nuk arritën të ndalin testimet e raketave, ndërsa zyrtarët koreanoveriorë kanë premtuar “një dhuratë Krishtlindjesh” deri në fund të vitit.
“Kim Jong Uni po përpiqet të fitojë vëmendjen e Presidentit Trump, pasi ka kuptuar se burokracia amerikane është më e kujdesshme ndaj një kompromisi apo negociatash të mundshme, se sa vetë Presidenti Trump”, thotë Michael O’Hanlon, i Institutit Brookings.
Përafërsisht janë rreth 200 mijë forca amerikane që shërbejnë nëpër botë, nga një total prej 1.3 milionë anëtarësh të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara./ VOA /
Top Channel