Festimet për Krishtlindje në Hong Kong kanë kaluar me përleshje të mëdha në mes të policisë dhe aktivistëve pro-demokracisë, teksa liderja pro-Pekinit në këtë vend, Carrie Lam, ka thënë se faza festive është “shkatërruar” nga protestuesit.
Policia ka përdorur sprej piperi dhe gaz lotsjellës pasi protestuesit kanë marshuar në disa pjesë të qytetit.
Liderja Lam ka dënuar të mërkurën protestat dhe protestuesit, duke i përshkruar përmes një postimi në rrjetin social, Facebook si “egoistë dhe rebelë të pamatur”.
“Veprime të tilla ilegale jo vetëm që kanë prishur atmosferën festive por edhe kanë ndikuar në bizneset lokale”, ka thënë ajo.
Qindra mijëra persona kanë protestuar në Hong Kong për më shumë se pesë muaj, ndonëse me raste ka shpërthyer dhuna dhe janë rritur shqetësimet se Pekini do të internevojë për të ndaluar këto organizime.
Protestuesit janë të zemëruar pasi shohin ndërhyrjen kineze në liritë e Hong Kongut, të premtuara ndaj këtij vendi kur Britania i ka dorëzuar Kinës këtë territor më 1997.
Hong Kongu, është pjesë e Kinës, mirëpo funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”.
Top Channel