Në deklaratën e tij për mediat, të mbajtur pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, kreu i partisë Edi Rama deklaroi se mungon komunikimi me presidentin e vendit, Ilir Metën.
“Me presidentin nuk kemi asnjë komunikim, ju e dini që situata postzgjedhore karakterizohet nga një inerci që lidhet me historinë e dekreteve e zhdekreteve, kështu që ne kemi për detyrë të garantojmë vazhdimësinë normale të qeverisjes aty ku kemi fituara bashkitë dhe kemi dy vakanca”, u shpreh Rama.
Rama tha se ka ardhur koha që të mbyllet procesi për zgjedhjen e kryetarit të partisë.
“Jemi në proces kandidaturash për kryetarin e partisë, prej disa muajsh jemi në proces riorganizimi, ripërtëritje për zgjedhjet e ardhshme dhe pasi kemi zgjedhur kryetarët e organizatave, pasi kemi përfshirë në proces edhe gratë duke vendosur të zbatojmë një normë të re të organizimit ku drejtimi i organizatave i besohet një burri ose djali, gruaje ose vajze, tani ka ardhur koha të mbyllim procesin për zgjedhjen e kryetarit të Partisë”, u shpreh kryeministri.
I pyetur sa i takon ecurisë së procesit, Rama tha:
“Kudo procesi ka ecur sipas normave të paracaktuara, diku më shpejt diku më ngadalë por në përgjithësi ky proces na ka dhënë atë që kemi pritur, një energji të re, ripërtëritje të domosdoshme në një fazë të ndërmjetme, edhe pse zgjedhjet duken larg ato janë nesër, sepse qershori është shumë i afërt politiksht.”
Top Channel