Ka të dhëna shqetësuese në rritje se Shteti Islamik ka nisur të riorganizohet në Irak, dy vjet pasi humbi territorin e tij të fundit në këtë vend.

Zyrtarët e inteligjencës kurde dhe perëndimorë i thanë thënë BBC-së se prania e ISIS-it në këtë vend, ka sot formën e një  kryengritjeje të sofistikuar dhe sulmet e tij janë në rritje. Militantët tani janë më të aftë dhe më të rrezikshëm se al-Kaeda, sipas Lahur Talabany, një zyrtar i lartë kurd i antiterrorizmit.

“Ata kanë teknika më të mira, taktika më të mira dhe shumë më shumë tepër para në dispozicion të tyre,” tha ai.

“Këta militantë janë në gjendje të blejnë automjete, armë, furnizime ushqimore dhe pajisje. Nga pikëpamja teknologjike janë më të avancuar. Është më e vështirë t’i largosh. Janë pak a shumë si ata të Al Kaedës, të dendur me steroidë”, shtoi ai.

Shefi veteran ndodhet në bazën e tij në Sulaimaniya, e vendosur në kodrat e rajonit të Kurdistanit në Irakun Verior, nga ku rrëfeu sesi organizata e rrezikshme ka vazhduar rigrumbullimin këto 12 muajt e fundit duke u rindërtuar mbi rrënojat e kalifatit.

“Ne shohim që aktivitetet po vijnë në përshkallëzim. Mendojmë se faza e rindërtimit ka mbaruar, tani druhem mos nis masivisht veprimi”, tha Talabany, i cili kryeson Agjencinë Zanyari, një nga dy agjencitë e inteligjencës në Kurdistanin Irak. “Është një lloj tjetër ISIS-i ky që po rishfaqet”, pohon zyrtari, “ai nuk kërkon më të kontrollojë territore, sepse ashtu shënjestrohet lehtë.” Tani, ashtu si paraardhësit e vet të Al Kaedës, ekstremistët kanë nisur të fshihen në shpellat e një zone malore, të cilën ushtria irakiane e ka të vështirë ta kontrollojë.

Top Channel