Protestojnë inspektorët e Prishtinës, kërkojnë zbardhjen e vrasjes së inspektorit të pyllit

23/12/2019 10:55

Në shenjë revolte ndaj aktit të vrasjes së kolegut të tyre, inspektorët e komunës së Prishtinës kanë protestuar sot, madje ata nga ora 08:00 deri në orën 10:00 e kanë bojkotuar punën. Përmes kësaj proteste, ata kërkuan nga organet e drejtësisë që të hetohet dhe të zbardhet rasti.

Inspektori Bujar Abazi  ka deklaruar se përmes kësaj proteste po shprehin shqetësimin e tyre për kushtet e punës që po ua rrezikojnë çdo ditë. Abazi po kërkon që të gjitha rastet që janë hapur nga ky institucionet të marrin epilog sa më parë, e me theks të veçantë rasti i fundit i vrasjes së kolegut të tyre, Nazmi Rrustemi, i cili u gjet i vdekur ditë më parë në afërsi të Liqenit të Badrovcit.

“Arsyeja e kësaj proteste është vrasja e kolegut tonë në detyrë, ku shprehim pakënaqësinë dhe revoltën ndaj rastit të vrasjes si dhe ngirisim shqetësimet tona si drejtorat i Inspeksionit për kushtet dhe rrezikshmërinë që hasim çdo ditë punëtorët e Inspeksionit në terren.. Përmes kësaj proteste ne i kemi renditur disa pika të cilat nga institucionet përgjegjëse kërkojmë të realizohen, kjo nënkupton që rasti i vrasjes së kolegut të zbardhet sa më parë, dhe rastet tjera të cilat ne i kemi hapur vazhdimisht në organet e rendit, ku nuk kanë marr epilog për vite me radhë. Prioriteti tek gjykatat për trajtimin e rasteve tona zyrtare të sulmeve apo kanosjeve e presioneve të ndryshme të jetë prioritet i parë për gjykatat dhe prokurorit”, tha ai.

Inspektori i komunës së Prishtinë ka kërkuar që për shkak të rrezikshmërisë së lartë, punëtorët e Inspektoratit të Prishtinës t’u bëhet edhe kompensimi material dhe t’u lejohet që të mbajnë armë në shenjë mbrojtje.

“Në të njëjtën kohë të bëhet edhe kompensimi material për pjesën e punëtorëve të cilët edhe ashtu parashihet me ligj për kategoritë e pozitave me rrezikshmëri të bëhet kompensimi material, të na lejohet mundësia për bartje të armës në shenj mbrojtje në rast rreziku dhe njëra prej pikave përfundimtare por jo më pak e rëndësishme është që të bëhen udhëzimet administrative të ministrisë së Punëve të Brendshme në mënyrë që të funksionalizohet sa më parë Policia komunale që do të na dilte në ndihmë mjaftueshëm në kryerjen e detyrave tona”, u shpreh ai.

Inspektori i komunës së Prishtinës, Bujar Abazi ka paralajmëruar masa të tjera nëse kërkesat e tyre neglizhohen nga institucionet përgjegjëse. Kujtojmë që inspektori i pyllit të komunës së Prishtinës, Nazmi Rrustemi është gjetur i vdekur më 19 dhjetor në afërsi të Liqenit të Badrovcit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA