Me bindjen e plotë, se jeta e tij dhe ajo e familjarëve është në rrëzik, gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Alaudin Malaj, i ka dërguar një letër 11 institucioneve në vend, ku kërkon ruajte fizike nga shteti për shkak të rrethanave jo të zakonshme të krijuara për të. Megjithatë ai sot është pa mbrojtje.

“Komisioni i ruajtes fizike të gjyqtarëve, të cilin unë nuk e di se nga kush përbëhet, më ktheu përgjigje me kryetaren e gjykatës, dhe nuk ka prova më thotë për mbrojtjen tuj. Provat i di Policia e Shtetit. Familjarët e mi kanë bërë kallëzime, unë kam bërë kallëzime. Duan që kur të më qëllojnë mua atëherë të jetë prova që të më vijnë të më sigurojnë mbrjotje? Siç i ndodhi Arjan Ndojit, siç i ndodhi prokurorit tjetër në Vlorë. Kur do jenë këto prova, kur të dëmtohen?”, pyet Malaj.

Gjyqtari Malaj tha se në vitin 2015 vëllai i tij është kërcënuar me jetë, çështje kjo që sipas tij nuk u hetua kurrë.

“Vëllai im ka bërë kallëzim penal për një vrasje me pagesë të një personi në Vlorë, i cili nuk u hetua kurrë, biles u pushua çështja, madje u fshinë edhe materialet e çështjes nga prokuroria. Ndikimi ishte shumë i madh”, shprehet gjyqtari.

Lidhur me një sërë ngjarjesh të ndodhura me të dhe familjarët e tij, gjyqtari Alaudin Malaj, thotë se mungesa e reagimit ndaj kallëzimeve të ndryshme ka ardhur për shkak të ndikimit të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Me gjithë respektin për ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, por ai nuk mund të drejtojë dot Policinë e Shtetit, përderisa njerëzit janë të Fatmir Xhafës në Policinë e Shtetit, që nga drejtori i policisë, e deri tek i fundit. Mos të them edhe tjetrën, që një pjesë të drejtorave që ishin larguar më para nga detyra dhe ishin ndjekur edhe penalisht, Fatmir Xhafa i ngriti në detyrë”, shprehet Alaudin Malaj.

Alaudin Malaj, është gjyqtari që bëri publik vendimin e dënimit në Itali të Geron Xhafës, vëllait të ish ministrit të Brendshëm.

Gjyqtari Malaj, në të njëjtën letër që kërkon mbrojtje fizike, Geron Xhafën e akuzon si kreun e një grupi të trafikimit të narkotikëve, publikimin e fakteve të rreme në çështjen penale “Alizoti” në bashkëpunim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, si dhe persona të tjerë të policisë.

Andi Bora

FOTO GALERI
2/4

Top Channel