Starlineri i ri i Boeingut, pa pilot, u kthye në tokë të dielën, duke u ulur në një shkretëtirë në Nju Meksiko, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjashtë ditë më herët nga sa ishte planifikuar, për shkak të një problemi që kishte penguar lidhjen me Stacionin Ndërkombëtar Hapsinor.

Imazhet e transmetuara nga NASA tregonin anijen hapsinore që ulej në mënyrë të përsosur në errësirë, pas një zbritjeje të ngadalësuar nga tre parashuta të mëdha.

Ai që duhej të ishte një fluturim testues, u ndërpre pasi Starliner nuk mundi të hynte në trajektoren e duhur. Kthimi i tij të dielën, ishte një fitore për Beoing pasi ekspertët do të jenë në gjendje të nxjerrin të dhëna të vlefshme për natyrën e defektit dhe ta korrigjojnë atë.

Boeing ka punuar gjatë dekadës së kaluar për ta përgatitur Starlinerin për misione me ekuipazh, pasi NASA i kërkoi sektorëve privatë të ndërtojnë anije hapsinore në gjendje të dërgojnë astronautët në stacionin ndërkombëtar hapsinor pas mbylljes së programit të saj të anijeve.

NASA i ka dhënë Boeingut 4.2 miliardë dollarë në 2014 për Starlinerin. Ai pritej të ishte gati në 2017 por është përballur me një seri vonesash dhe problemesh.

Top Channel