Basha: Me minishengenin, qeveria shqiptare tregoi mungesë ndjeshmërie e mirënjohjeje për Kosovën

22/12/2019 12:54

Përmes një postimi në Facebook, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sa i takon “minishengenit ballkanik”.

“Partia Demokratike mirëpret në parim çdo nisëm rajonale që ka për qëllim afrimin e shteteve dhe forcimin e bashkëpunimit mes tyre. Por ne gjykojmë se fqinjësia e mirë në Ballkanin Perëndimor kurrsesi nuk mund të arrihet duke përjashtuar Republikën e Kosovës. Prandaj e konsideroj të papranueshëm moskonsultimin e qeverisë shqiptare me Kosovën për këtë iniciativë dhe bërjen pjesë të saj pa e kushtëzuar paraprakisht pjesëmarrjen e Shqipërisë me praninë e Kosovës. Këto qëndrime bien ndesh me parimet e partneritetit strategjik për të cilat qeveria e Shqipërisë është zotuar disa herë gjatë mbledhjeve me qeverinë e Kosovës. Ato shkelin hapur marrëveshjen dyshtetërore për unifikimin dhe koordinimin e politikës së jashtme të dy vendeve tona. Theksoj se i ashtuquajturi samiti i minishengenit ndodhi në Durrës vetëm pak ditë pasi Serbia mohoi masakrën e Reçakut, në vijim të përpjekjeve për të revizionuar historinë e krimit të saj shtetëror. Kjo fyerje për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar do duhej të ishte mjaftueshëm argument për të mos ta mbajtur atë aktivitet deri në kërkesën e ndjesës nga Serbia. Ndihem i turpëruar që qeveria e Shqipërisë nuk demonstron empati dhe përgjegjësi për plagët e pambyllura të Kosovës, pikërisht në këtë periudhë kur populli i saj u ngrit i gjithi në këmbë e me zemër të hapur në solidaritet për të ndihmuar, si e me sa të mundeshin familjet e prekura nga tërmeti. Ushtria, policia dhe të gjitha institucionet e Kosovës ishin të parat që u angazhuan në mënyrë profesionale në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ofruan ndihmë humanitare për vëllezërit dhe motrat e goditur nga fatkeqësia natyrore e njerëzore, ndërsa kryeministri i padenjë i Shqipërisë ua shpërblen duke nëpërkëmbur të gjithë figurat e larta të shtetit të Kosovës”, shkruan Basha.

Më tej shton:

” Partia Demokratike, si parti e qendrës së djathtë natyrshëm mbështet tregtinë dhe qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe krahut të punës, por për ne është e pashpjegueshme nevoja për një nisëm të re rajonale, ndërkohë që për këto qëllime kemi nisma të tjera me synime të ngjashme, siç është CEFTA e cila është dëshmuar tashmë si model i suksesshëm për integrimin rajonal dhe përgatitjen e të gjitha vendeve të Europës Qendrore e Lindore për integrimin në BE. Është papërgjegjshmëri dhe dështim i kësaj qeverie fakti që pikërisht gjatë vitit kur Shqipëria ka presidencën e CEFTA-s, në vend që ta konsolidojë këtë organizatë e të nxisë zgjerimin me vende të tjera që aspirojnë integrimin europian si Ukraina apo Gjeorgjia, kjo qeveri po e saboton këtë organizatë duke shtyrë përpara një nisëm të re që e rivalizon dhe i mbivendoset. Po kaq shqetësues është fakti se kjo nisëm u propozua pas refuzimit të BE për hapjen e negocitave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, sepse lë përshtypjen e krijimit të një blloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian. Në tetor të këtij viti, Serbia nënshkroi në Moskë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euroazian të dominuar nga Rusia pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli se kjo marrëveshje nuk përputhet me kriteret e integrimit europian. BE vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2014 mirëpo Serbia, megjithëse vend kandidat, refuzoi ti vendoste. Pavarësisht retorikës pro-perëndimore, gjatë viteve të fundit Serbia ka thelluar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë duke ndërmarrë manovra të përbashkëta dhe bërë blerje masive armatimi. Të gjitha këto veprime të Serbisë hedhin hije dyshimi mbi orientimin gjeopolitik të një blloku të ri shtetesh ballkanike ku shteti më i fuqishëm që shërben si lokomotivë e kësaj nisme, flirton haptazi me Rusinë dhe nuk e ka të sinqertë orientimin drejt perëndimit. Kjo nisëm ka hasur në hezitim jo vetëm prej Kosovës por edhe prej dy vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina çka dëshmon se kjo iniciativë rajonale me pjesëmarrje të gjymtuar i ka gjasat e mëdha që të dështojë pa u formuar mirë. Prandaj e gjithë kjo seri takimesh duket se është propagandë që synon të largojë vëmendjen nga dështimi me hapjen e negociatave si dhe nga keq-qeverisja socialiste që po shkakton gjithmonë e më shumë kosto tek çdo qytetar. Së fundmi, duke ndarë shqetësimin se kjo nisëm mund të bëhet pjesë e një skenari të “anëtarësimit minus” për vendet e Ballkanit Perëndimor, shpreh bindjen e thellë se Shqipëria nuk meriton të penalizohet për dështimet, abuzimet dhe paaftësitë e kësaj qeverie që kanë çuar në errësimin e perspektivës europiane për shqiptarët. Ne besojmë se Shqipëria nuk duhet të pranojë një ofertë alternative degraduese të integrimit por duhet të vazhdojë të synojë që të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Shqipëria dhe shqiptarët e kanë të gjithë potencialin e duhur për të arritur kriteret e kërkuara. Dhe ne jemi të bindur se vetëm rotacioni politik dhe krijimi i një qeverie të re do ta çlirojë këtë potencial europianizues dhe do ti hapë rrugë anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA