Edhe pse lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti kishte deklaruar se koalicioni në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do bëhet 72 orë pas certifikimit të rezultateve, ende nuk kanë arritur një marrëveshje për krijimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës. Qytetarët e Kosovës ende po shpresojnë që ky koalicion të ndodhë, kurse, moskrijimin e deritanishëm të tij e vlerësojnë si papërgjegjësi politike.

Posti i presidentit si duket është pika e cila po i ndan Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në. Kjo e fundit po insiston që presidenti të jetë pjesë e marrëveshjes LVV-LDK, në mënyrë që të ketë baraspeshë qeverisëse, si dhe mos ketë mospajtime e zgjedhje në momentin që përfundon mandati i presidentit aktual. Kurse, VV po kërkon emrin e kandidatit për president, madje kanë kërkuar që ai të jetë konsensual.

U bënë më shumë se dy muaj nga dita e zgjedhjeve të 6 tetorit. Ndërsa, qytetarët shkuarjen në zgjedhje nuk e shohin si një opsion të duhur për të tejkaluar këtë krizë politike të krijuar në vend.

Sipas Bajram Hyseni, fajtori kryesor i cili e ka lënë peng mos krijimin e institucioneve të reja të Kosovës është lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

“Vetëvendosje është fituese, mirëpo nuk ka me kënd me bë koalicion…Krejt fajet Isa i ka…Po sa herë të shkoj në zgjedhje për Vetëvendosjen kom me dal me votua…Mirë nuk është se harxhime të mëdha, por është edhe tjetra punë më mirë me shku në zgjedhje sesa me zhagit, sepse ashtu ashtu nuk kanë me mund me u marrë vesh, Isa nuk lëshon pe, është komunistë i vjetër”, tha ai për KosovaPress.

Ndërsa, Mehmet Canolli, mos krijimin e qeverisë e sheh si papërgjegjësi të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

Canolli shprehet për KosovaPress kundër zgjedhjeve, madje ai thotë se nëse vendi shkon në zgjedhje ai nuk do të dal për të votuar.

“Po është papërgjegjësi e kësaj elite politike, sidomos e këtyre partive që kanë fitu zgjedhjet, qytetarët ua kanë dhënë besimin dhe e kanë parë se duhet me u bë ndryshimi, këta nuk po e bëjnë ndryshimin por po dihet mbi të gjitha se është interesi i tyre personal dhe partiak mbi atë shtetëror, qytetar dhe Republikën…jo nuk duhet me shku në zgjedhje, duhet me u marrë vesh të dy palët, duhet me lëshuar pe nga pak, sidomos këta që po lypin president…Unë nuk dal hiq me votuar dhe është përgjegjësi e tyre nëse e qojnë vendin në zgjedhje”, tha Canolli.

Me Canollin pajtohet edhe Rrahman Dema, i cili për KosovaPress thotë se më mirë është që dy subjektet politike të merren vesh dhe vendi mos të shkoj në zgjedhje.

“Fajin mos t’ua lëmë vetëm njërës parti por faji të ndahet në gjysmë.. Besoj që po…Unë kam votuar gjithë, nuk kemi çka të bëjmë duhet të dalim prapë… Nuk është situatë e mirë, më mirë me përfundu tani si janë marrë vesh sesa me shkua prapë në zgjedhje”, u shpreh ai.

Edhe Franklin Shehu shprehet optimist për krijimin e koalicionit në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

“Krijimi i koalicioneve qeverisëse paraqet një proces mjaftë delikat. Për mendimin tim LDK-ja dhe Vetëvendosje duhet ta bëjnë një koalicion, përndryshe komplikohet situata, duhet të shkohet dhe zgjedhje dhe kjo kushton”, theksoi ky qytetar.

Në anën tjetër gjatë ditës së djeshme përsëri janë takuar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa por sërish nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje. /B.Ibishi/Kosovapress

Top Channel