Popullsia e botës vazhdon të rritet. Gjatë 2019-tës, ajo u shtua me 83 milionë vetë, e kjo sipas përllogaritjeve do të thotë se çdo sekondë lindin 2,6 njerëz.
Nëse vazhdohet me këto ritmet, thotë Fondacioni Gjerman për Popullsinë Globale në Hanover, në vitin 2023 popullsia e botës do të shkojë në 8 miliardë. Rritjen më të madhe e ka Afrika. Brenda tre dekadash, mendohet se popullsia atje do të dyfishohet. Gratë në Afrikë lindin mesatarisht 4,4 fëmijë, më shumë se mesatarja botërore me 2,4 fëmijë për grua.
Një prej shkaqeve kryesore të kësaj rritjeje galopante të popullsisë në vendet jugore të Saharasë, është shtatëzania e padëshiruar tek gratë, sepse ato nuk janë në gjendje të mbrohen. Fondacioni bën thirrje për forcimin e të drejtave të grave, fushatat sensibilizuese, garantimin e kujdesit shëndetësor, si aksesin tek mjetet moderne kontraceptive. Këto objektiva duhet të vihen në fokus të bashkëpunimit për zhvillimin.
“Nëse gratë atje do të mund të vendosnin me vullnet të lirë nëse e duan një fëmijë, popullsia në Afrikë në jugun e Saharasë deri në fund të këtij shekulli do të ishte 30 përqind më pak”, tha drejtorja ekzekutive e fondacionit Renate Bähr. Se si është e shpërndarë popullsia në kontinente, fondacioni e shpjegon përmes një modeli: Nëse bota sot do të ishte nëj fshat me 100 banorë, 59 syresh do të vinin nga Azia, 17 nga Afrika, dhjetë nga Europa, tetë nga Amerika Latine, pesë nga Amerika e Veriut dhe një nga Oqeania.
Top Channel