Krahas dëmtimit banesës, familja Biqiku do të humbiste vajzën 20-vjeçare Xhesika Biqiku mbrëmjen e 26 nëntorit kur një parapet do të shkëputej nga pallati si pasojë e lëkundjeve që përfshinë Shqipërinë.
Bashkë me 20-vjeçaren e cila sapo kishte nisur ëndrrën e saj për t’u bërë arkitekte, do të mbeteshin të lënduara edhe nëna dhe motra e saj, por që mundën të shpëtojnë.
Ata u vizituan pasditen e sotme nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në banesën e tyre të re 2+1 në kryeqytet në zonën e Kombinatit ku siguruan pjesëtarët e familjes Biqiku se për çdo nevojë institucionet janë të gatshme që të ndihmojnë.
Teksa shprehën ngushëllimet për ndarjen nga jeta të vajzës Xhesika Biqiku, Veliaj dhe Rama theksuan se do të bëhet gjithçka që pjesëtarët e familjes së saj të vijojnë jetën në mënyrë që t’ju lehtësohet sa të jetë e mundur edhe dhimbja e madhe.
Familjarët falënderuan kreun e qeverisë, si dhe kryebashkiakun Veliaj për gjithë angazhimin që nga momentet e para për të shpëtuar jetën e vajzës dhe për përkujdesjen në vijim.
Kryeministri Rama i dorëzoi vajzës së vogël Sabinës edhe tre libra, një nga pasionet e saj më të mëdha në jetë.
Bashkë me qeverinë, në kryeqytet janë strehuar nga Bashkia e Tiranës edhe shumë prej familjeve të cilat humbën pjesëtarë në Thumanë duke nisur një jetë të re. Bashkia është përkujdesur që krahas ofrimit të një banese me kushte komode, të ofrojë edhe mbështetje të vazhdueshme me shërbim social dhe shëndetësor.
Top Channel