Presidenti Ilir Meta e konsideron “konflikt skizofrenik” përplasjen e vazhdueshme mazhorancë-opozitë dhe që ka ndikuar nga largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. Sipas Metës, shifrat e fundit tregojnë me një rritje prej 16% brenda këtij viti të tendecës së shqiptarëve për t’u larguar nga vendi.
Presidenti kërkoi nga politika që të reflektojë mbi këtë situatë, por u bëri thirrje edhe shqiptarëve që “t’i thërrasin mendjes” se pavarësisht se mund të shkojnë në çdo vend tjetër të botës për një jetë më të mirë, ata do të humbasin atdheun e tyre.
“Shqetësimi im më i madh është një tërmet i përditshëm që lidhet me hemoragjinë e brendshme, që unë e quaj shpopullim. Politika duhet të reflektojë e para, por edhe shqiptarët duhet t’i thërrasin mendjes sepse mund të ikin në çdo vend të botës, por do të humbasin atdheun e tyre”, tha Meta.
Sa i përket paketës “anti-shpifje”, Meta theksoi se “së pari do ta shoh me vëmendje sepse është folur për ndryshime të minutave të fundit”, e më pas do të marrë vendim nëse do e dekretojë apo do e kthejë për rishqyrtim në Kuvend.
Lidhur me takimin e “Shengenin Ballkanik” që zhvillohet sot në Durrës, Presidenti tha se është pro atyre iniciativave rajonale që prodhojnë më shumë rezultate sesa debate.
Top Channel