Presidenca paralajmëron: Nëse Kuvendi vijon me rrugën e zgjedhur, Meta do ta çojë në “Venecia” për “Kushtetuesen”

20/12/2019 13:56

Ilir Meta do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, lajmëron Tedi Blushi, zëdhënës i Presidentit të Republikës, .

Ky reagim vjen pas shtimit të akuzave për presidentin Ilir Meta, nga ana e Komisionit Hetimor dhe paralajmërimit të vetë komisionit, se të gjitha akuzat e mbledhura do të adresohen përmes Komisionit të Venecias.

Njoftimi në fjalë u bë përmes një statusi në Facebook të Blushit:

“Nuk mund të frenojmë askënd, e aq më pak Kuvendin e Shqipërisë, të kërkojë këshilla miqësore apo të kundërshtojë në Komisionin e Venecias, Dekretin e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese në plotësim të vakancës së tij. Shteti Shqiptar ka një marrëdhënie të konsoliduar me Komisionin e Venecias dhe institucionet që vendosin t’i drejtohen këtij organi këshillimor, duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë objektivisht dhe jo për përdorim politik.

Megjithatë nëse Kuvendi, do të vijojë me rrugën e zgjedhur dhe vërtet dëshiron të shterojë objektivisht këtë çështje, Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese.”

 

Top Channel