Dy ditë pas miratimit të “anti-shpifjes”, Ruçi: Vetërregullimi i medias pa rregullimin nga shteti, nuk ka garanci

20/12/2019 10:54

Vetëm dy ditë pasi në Parlament u votua paketa “anti-shpifje”, kryeparlamentari Gramoz Ruçi foli sot në konferencën e organizuar nga Avokati i Popullit “Liria pa urrejtje-Liria e shprehjes përballë të të drejtave të tjera të njeriut”.

Duke e konsideruar të kritik dhe të rëndësishme vetërregullimin e tregut të medias, Ruçi tha se vetërregullimi nuk mund të garantojë “mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe dinjitetit të qytetarëve pa plotësimin prej rregullimit prej shtetit”.

“Rregullimet ligjore të nevojshme nuk presupozojnë domosdoshërisht zgjerimin e rrezes së shtetit demokratik, por forcën e tij për të garantuar mbrojtjen e dinjitetit dhe lirive qytetare”, tha Ruçi.

Sipas kreut të Parlamentit, një media nuk mund të jetë e lirë, nëse lexuesit e shikuesit, pra konsumatorët, ndjehen të fyer apo të kërcënuar prej lirisë së saj.

Mazhoranca socialiste konsideron të nevojshme ligjin anti-shpifje për të luftuar lajmet e rreme dhe shpifjet në median online, por shoqatat e gazetarëve janë shprehur kundër duke e konsideruar përpjekje për kontrollin e media.

Pjesë nga fjala e Gramoz Ruçit

Demokratizimi i medias dhe i teknologjisë, përveç vlerave dhe dobisë së pallogaritshmë për shoqërinë dhe zhvillimin, përmbajnë në vetvete edhe “farën” e disa rreziqeve.

Vetëm një hap e ndan dobinë e këtyre demokratizimeve nga dëmet që mund t’i sjellin shoqërisë dhe qytetarëve përdorimi i papërgjegjshëm i këtyre të mirave publike, “tradhëtimi” prej organeve ose punëtorëve të medias i misionit të tyre fisnik.

Që këtej kuptohet sesa i rëndësishëm dhe kritik është vetërregullimi i tregut të medias.

Një vetërregullim, i cili nuk mund të garantojë mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe dinjitetit të qytetarëve pa plotësimin prej rregullimit prej shtetit.

Rregullimet ligjore të nevojshme nuk presupozojnë domosdoshërisht zgjerimin e rrezes së shtetit demokratik, por forcën e tij për të garantuar mbrojtjen e dinjitetit dhe lirive qytetare.

Një media nuk mund të jetë e lirë, nëse lexuesit e shikuesit, pra konsumatorët, ndjehen të fyer apo të kërcënuar prej lirisë së saj.

Media vërtet është një degë e katërt e qeverisjes, edhe pse e pavotuar, me tendencë rritjeje të influencës dhe pushtetit të saj në shoqëri.

Por duke pranuar këtë, duhet të pranojmë se sa më shumë rritet pushteti dhe infleunca, aq më shumë duhet të rritet edhe përgjegjësia dhe vetëkontrolli. Liria e medias nuk mund të zhvillohet jashtë etikës së saj.

U zgjata pak në këtë arsyetim, nisur nga premisa se etika e medias rrezaton në të gjithë shoqërinë dhe kontribon në shmangien e gjuhës së urrjetjes midis individëve dhe institucioneve të tjera të saj.”

Top Channel