Një nga inspektorët më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës, N.Rr., është gjetur i vdekur mbrëmë në afërsi të Liqenit të Badrovcit.

Lajmi është konfirmuar nga vet kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili shtoi se N.Rr. ishte gjetur pa shenja jete larg makinës së tij në zonën që ruante si roje pylli i vrarë me armë zjarri.

“Mbrëmë Drejtoria e Inspekcionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur/hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës N. Rr. në afërsi të Badovcit. Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si roje pylli”, tha Ahmeti.

Trupi i pajetë është përcjellë në Mjekësinë Ligjore ndërsa policia po zhvillon hetimet rreth rastit.

Kreu i Prishtinës tha se ky rast edhe njëherë dëshmon rrezikun me të cilin përballen Inspektorët e Komunës.

“Familjes i shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe si Komunë do të ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira. Nga Policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë”, vijoi Ahmeti.

Top Channel