Studimi/ Ndotja e ajrit rrit depresionin dhe çon në vetëvrasje

19/12/2019 06:07

Një studim i fundit global e lidh ndotjen e ajrit me depresionin dhe vetëvrasjen. Grimcat e ndotjes, të analizuara në studim, prodhohen nga djegia e karburanteve fosile në makina, shtëpi dhe industri.

Kërkuesit thonë se provat e reja e përforëcojnë akoma edhe më shumë nevojën për të zgjidhur atë që OBSH-ja e quan “një emergjence e heshtur e shëndetit publik”.

Kryeqyteti më i ndotur i Europës, sipas kësaj organizate, është Shkupi. Studimi lë të kuptohet fare qartë se reduktimi i ndotjes së ajrit nëpër botë deri në limitin ligjor të BE-së mund të parandalojë prekjen e miliona njerëzve nga depresioni.

Edhe pse një gjë e tillë është e vështirë të konfirmohet përtej çdo dyshimi, shkencëtarët janë të bindur se ajo është mëse e mundur. “ Ne e kemi treguar se ndotja e ajrit mund t`i shkaktojë dëme të mëdha shëndetit tonë mendor, e kjo e bën edhe më urgjente nevojën për pastrimin e ajrit”, tha drejtuesja e studimit, Isobel Braithwaite nga University College London.

Më shumë se 264 milionë njerëz nëpër botë vuajnë nga depresioni, sipas OBSH-së. Ekspertët tregojnë se grimcat më të imëta të ajrit të ndotur arrijnë deri në tru përmes gjakut dhe hundës, duke shkaktuar inflamacion, duke dëmtuar qelizat nervore e duke shkaktuar edhe ndryshime ne prodhimin e hormonit të stresit.

Një studim i realizuar në fillim të këtij viti dilte në përfundimin se ndotja e ajrit mund të dëmtojë praktikisht çdo organ dhe pothuajse çdo qelizë të trupit të njeriut.

Top Channel