Arben Kraja, i moshës 55-vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë është kryeprokurori i SPAK, që do të hetojë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar.

Pak minuta pasi u votua në KLP , pas garës me Altin Dumanin dhe Edvin Kondilin, kryeprokurori i SPAK paralajmëroi abuzuesit e ligjit.

Anila Hoxha: Ju thatë në KLP se do jeni i egër, kush duhet të ketë frikë?

Arben Kraja: Ata që shkelin ligjin.

I njohur si prokurori që hetoi për korrupsion ish-gjyqtaren e lartë Majlinda Andrea, apo si prokurori i dosjes Durrës-Kukës, me të dyshuar të atëhershëm, Lulzim Bashën, Arben Kraja në platformën e tij para KLP garantoi se SPAK nuk do të favorizojë miqtë apo të lajë detyrimet ndaj të tjerëve. Tashmë kryeprokurori i SPAK garanton edhe qytetarët.

Me rivalet e tij, Dumani e Kondili, Kraja do punojnë tashmë në SPAK, për të cilin pritshmëritë janë të larta.

Kraja e ka nisur karrierën si hetues në vitin 1987, më tej vazhdoi si jurist pranë policisë financiare, gjatë vitit 2001-2002 drejtor i njësisë antikorrupsion pranë këshillit të ministrave, për tu kthyer më pas edhe si prokuror, duke përfaqësuar çështje të juridiksionit fillestar në Gjykatën e Lartë, mes tyre edhe ato për shpifje kundër disa deputetëve. Por sfidat e Krajës dhe shtatë të tjerëve lidhen me premtimin që ata dhanë për luftën ndaj korrupsionit.

Pas kësaj deklarate, Arben Kraja iku në këmbë, ashtu siç ka vepruar gjithë këto vite, teksa shërbente si prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Nga nesër rutina e tij ndryshon duke nisur nga mbrojtja!

Anila Hoxha

Top Channel