Në studion e emisionit “Top Talk”, ishte dhe i ftuar Kordinatori i Bindjes Demokratike Astirt Patozi. Në studio tema kryesore ishte projektligji i “paketës Antishpifje”, projektligj i cili ka hapur një debat të madh publik.
Ku sipas shumë gazetarëve dhe anëtarëve të opozitës, është një projektligj që nuk lejon të drejtën e fjalës dhe po e kthen vendin në diktaturë. Patozi u shpreh në studio që kjo temë nuk duhet të ishte me kaq emergjencë, sepse Shqipëria në këto momente ndodhet në një emergjencë kombëtare për shkak të tërmetit të mëngjesit të 26 nëntorit. Sipas tij ky projektligj është një lloj strategjie e kryeministrit, për të shkëputur vëmendjen e problemeve të qeverisë dhe vendit në përgjithësi.
“Ky është një ligj i pa nevojshëm i padobishëm, i cili është interpretuar dhe po shkon drejt miratimit në mënyrën më të keqe nga nismëtarët, në këtë rast është qeveria dhe mazhoranca. Po ndodh në kohën më të pa përshtatshme. Unë nuk duhet të merrem me nenet e këtij ligji, aq shumë ka ndryshuar drafti nga fillimi edhe në këto momente që po flasim, dhe ka rrezik të ndryshojë edhe gjatë zbardhjes. Sepse të tilla kanë qenë ndërhyrjet edhe për shkak të komunitetit ndërkombëtar dhe për shkak të revoltës apo të reagimit të shtypit vendas. Unë merrem me frymën e ligjit, pse ky ligj me kaq emergjencë? Sot Shqipëria ndodhet në një emergjencë kombëtare për shkak të tërmetit. Dhe në rast se politika do të kishte arritur një lloj detante për këtë ngjarje, nuk do të na takonte që të merreshim ne me ligjin e medias, sepse nuk është ky problem që ka shoqëria sot”, tha Patozi.
Më tej ai shtoi:
“Nëse parlamenti do të miratonte edhe diçka tjetër përveç buxhetit të shtetit dhe mënyrës së rindërtimit dhe platformën e rindërtimit, pra po themi platformën e rindërtimit pas tërmetit. Sot mund të ishte reforma zgjedhore dhe mund të diskutoheshin ato emërtesat e Gjykatës Kushtetuese që ishin detyra shtëpie nga Bundestagu gjerman. Po sot askush nuk flet për to dhe sot jemi në një debat artificial dhe është bërë qëllimisht. Është një lloj strategjie e kryeministrit për të shkëputur vëmendjen nga problemet reale të qeverisë së tij dhe vendit në përgjithësi, që ai nuk e dominon dot ose ai i përkeqëson për shkak të veprimeve apo mos veprimeve të veta”.
Top Channel