Një fshat i vogël malor, i mbuluar nga gjelbërimi, ka ndërtesa që kanë mbetur të paprekura për shekuj të tërë, por rrezikonte të kthehej në fshat-fantazmë.

Fshati i quajtur Corippo, në kantonin italian të Zvicrës jugore, duket sikur ka dalë nga ndonjë përrallë. Megjithatë, banorët po përballen me një realitet të hidhur.

Dikur një komunitet fermerësh me 300 banorë, sot Corippo ka mbetur me vetëm 12, 11 prej të cilëve janë mbi 65 vjeç. Të vetmet veprimtari ekonomike janë një bujtinë dhe një restorant i vjetruar.

Por ata nuk humbin shpresa. Një fondacion vendas, “Corippo 1975”, ka gjetur një ide për ta shpëtuar fshatin. Ata duan ta bëjnë hotelin e parë në Zvicër me dhoma të shpërndara.

Ky model është vërtetuar i suksesshëm në Itali, dhe mund të vërë në punë 30 nga 70 ndërtesat e fshatit.

Shtëpitë janë disa shekuj të vjetra, me çati të pjerrëta e të ndërtuara me gur graniti vendas. Tani mund të kthehen në shtëpiza pushimi, secila si dhomë hoteli.

Fabio Xhakomaci, arkitekt dhe president i fondacionit, tha se kjo do t’i japë vizitorëve një përvojë të vërtetë të fshatit rural, që ka mbetur praktikisht i pandryshuar që nga vitet 1800.

Shtëpia e parë u hap në korrik të vitit 2018, por përurimi i hotel-fshatit është llogaritur për Pashkët e vitit 2020.

Për këtë do të vihet në zbatim një plan rindërtimi, që kushton rreth 6.5 milionë dollarë. Projekti ka ngjallur interes ndërkombëtar, duke shtuar numrin e vizitorëve që tani. Në vitin 2017, projekti fitoi çmimin “Gastrosuisse” për Risi në Fushën e Hotelerisë.

FOTO GALERI
9/10
Në vitin 2017, projekti fitoi çmimin “Gastrosuisse” për Risi në Fushën e Hotelerisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA