“Kapërcim epokal”/ Tërmeti, Rama: Thumana e nesërme s’do ngjajë me Thumanën para 26 nëntorit

18/12/2019 13:22

Krahas komenteve të tij mbi miratimin e ligjit të paketës anti-shpifje si dhe replikave me Rudina Hajdarin, kryeministri Rama foli edhe sa i takon çështjes së përballimit të situatës emergjente në vend si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit si dhe procesit të rindërtimit.

“Së pari dëshiroj të shpreh edhe një herë ndjenjën e krenarisë time për qeverinë që unë drejtoj dhe për shumicën tonë qeverisëse, për të gjithë ministrat dhe deputetët, kryetarët e bashkive të angazhuar në përballimin e pasojave tragjike të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Në më pak se dhjetë ditë mbi 13 mijë persona janë akomoduar në kushte që kurrë më parë nuk i ka pasur një banor i Republikës së Shqipërisë pas një fatkeqësie natyrore. Janë akomoduar në hotel që për standardet e Shqipërisë janë hotele luksi, me të gjitha shërbimet sikur të ishin turistët gjermanë apo norvegjezë, me të gjithë përkujdesjen shëndetësore dhe për vijimin normal të jetës së tyre. 3452 familje dhe 202 studentë kanë marrë qiranë për t’u akomoduar në kushte shtëpie sipas zgjedhjes së tyre. Për personat në fshat që me të drejtë e kanë të pamundur të lëvizin nga trualli i shtëpisë së pabanueshme është garantuar përkujdesja dhe vazhdon plotësimi i nevojave për çadra dimërore. Vlerësimi i dëmeve vazhdon intensivisht. Kapërcim epokal në adresimin nga ana e shtetit të nevojave të njerëzve të goditur nga një fatkeqësi natyrore”, u shpreh Rama.

Më tej shtoi:

“257 punonjës socialë dhe psikologë të angazhuar në një rrjet të tërë dhe që sigurojnë së bashkuar me 340 mjekë dhe infermierë shërbim 24 orë nga afër të njerëzve të regjistruar si të goditur nga kjo fatkeqësi. Janë akomoduar në shtëpi të reja brenda 15 dhjetorit të gjitha familjet e viktimave, për të cilat është akomoduar edhe një paketë trajtimi jo vetëm financiare. Kjo është pamja e përgjithshme. Ka nisur puna për planet e reja të zhviLlimi. Falë solidaritetit janë grumbulluar fonde të konsiderueshme, përmes organizatave, e-albania, “Shqiptarët për shqiptarët”, “Fundjavë ndryshe”, “Rrënjë shqiptare”, si asnjëherë më parë të gjitha forcat janë bashkë në një tryezë, faktorët kryesore për të çuar para një reformë rindërtimi. Unë besoj se shumë shpejt do të fillojnë të shihen filizat e parë të këtij procesi rindërtimi, dallimi i madh mes të djeshmes para 26 nëntorit dhe të ardhmes për këto familje; së shpejti transformim tërësor urban dhe social, që nga plaga e madhe e krijuar në Thumanë deri te shtëpia më e largët e familjes që është në rrezen e përcaktuar nga kufijtë e gjendjes së jashtëzakonshme. Me një grup arkitektësh të huaj të mirënjohur ndërkombëtarisht dhe me arkitektë dhe ekspertë shqiptarë do vijojë puna që zonat e reja ku do ndërtohet të jenë shembuj transformues për drejtimin e mëtejshëm të transformimit tërësor në funksion të një rilindjeje urbane. Thumana e nesërme s’do ngjajë me Thumanën para 26 nëntorit.”

 

Top Channel